Muzeu Historik Kombëtar, aktivitete kushtuar fëmijëve mirditorë
Gjatë këtij sezoni veror, Muzeu Historik Kombëtar po zhvillon aktivitete kushtuar fëmijëve, duke e bërë historinë më të prekshme dhe argëtuese për ta.
Javën e parë të muajit korrik, në kuadër të kampit veror për fëmijë “Mirdita 2025”, Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi aktivitete në qytetin e Rrëshenit, ku fëmijët morën pjesë në lojëra dhe veprimtari edukative, që synonin të rrisnin njohuritë mbi trashëgiminë tonë kulturore, nëpërmjet argëtimit dhe bashkëpunimit.
Kryetari i bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, mikpriti në një takim drejtoren e Muzeut Historik Kombëtar, Elenita Roshi, ku u diskutua mbi rëndësinë e promovimit të pasurisë historike të zonës dhe bashkëpunime të ndryshme në lëmin e historisë dhe edukimit nëpërmjet kulturës.

Aktiviteti u pasurua me hapjen e ekspozitës fotografike “Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar”, e cila solli pranë publikut fotografi të disa prej objekteve më të çmuara të koleksionit të Muzeut Historik Kombëtar, duke krijuar një urë simbolike mes Tiranës dhe Mirditës për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Kryebashkiaku Melyshi, falënderoi përfaqësuesit e MHK për bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e këtyre iniciativave që jo vetëm e sjellin historinë më afër qytetarëve, por edhe luajnë një rol thelbësor në edukimin e brezit të ri.

