Kujtim Spahivogli, regjisori i shquar i teatrit shqiptar
Pas tatëpjetës që shoqëroi linçimin e drejtuesve dhe pjesëmarrësve të Festivalit të 11-të të Këngës, një grup shkrimtarësh dhe dramaturgu Kujtim Spahivogli ishin në objektiv të kritikës për shfaqje të huaja.
Pavarësisht mjeshtërisë regjisoriale, Kujtim Spahivogli, i cili u nda nga jeta në 7 korrik 1987, u nderua vetëm pas vdekjes si Artist i Popullit.
Ai ishte një ndër studentët brilantë të ardhur nga studimet në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1956 u emërua aktor në Teatrin Kombëtar. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj.
Më tej, Spahivogli u shqua si regjisor dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, duke vënë në skenë pjesë të njohura sikurse ishin “I çuditshmi” dhe “Karnavalet e Korçës”. Spahivogli ishte krijues dhe drejtues i Teatrit të të Rinjve, i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mesin e krijimeve të tij, veçohet për nga suksesi i menjëhershëm drama “Një shok i klasës sonë”. Gjithashtu, lëvroi në poezi dhe në publicistikë.
Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe Instituti i Lartë i Arteve. Me prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, studentët që kishin studiuar atje, regjimi komunist i shihte si armiq të mundshëm. Ai u akuzua se dramat e tij sillnin shthurjen morale të femrës dhe jo emancipim.
Sot, emrin e Kujtim Spahivoglit e mban Teatri Kombëtar Eksperimental.

