Besimtarët Bektashinj festojnë Ditën e Ashures me ceremoni të veçantë në Kryegjyshatën Botërore në Tiranë

Më 8 korrik, besimtarët bektashinj kremtojnë Ditën e Ashures, një nga ditët më të shenjta dhe domethënëse për komunitetin e tyre.

Në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, nga ora 10:00 deri në 11:30, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, do të zhvillohet ceremonia përkujtimore e Ashures.

Në këtë ditë të shenjtë, Kryegjyshi ndan një mesazh të fuqishëm për unitetin dhe bashkimin e besimtarëve. Kryegjyshata fton të gjithë besimtarët dhe dashamirësit të bashkohen në këtë moment reflektues dhe shpirtëror.

Mesazh për ditën e Ashures

Ditët e Zisë në nder të përkujtimit të Qerbelasë mbyllen sot me këtë ditë të ëmbëlsirës së Ashures si përkujtim i një ngjarje tragjike dhe lufte për mbijetesë, për të na treguar se e vërteta është një dhe e palëkundur, përpjekjet për liri, paqe, prosperitet, demokraci, janë detyrë e sotme, e gjithësecilit prej nesh, në jetën e përditshme, por mbi të gjitha e përfaqësuesve tanë udhëheqësve, për ta drejtuar botën drejt paqes dhe zgjidhjes së konflikteve.

Dita e Ashures është një ndër ditët që shënojnë shfaqjen e virtyteve më të mira të bektashinjve; është një sintezë e vlerave njerëzore; një simbol i bashkimit dhe përpjekjeve për të kontribuar për mirëqenien e të gjithë njerëzve. Nëpërmjet kremtimit të kësaj feste, bektashinjrë u dërgojnë të gjithë kombeve e popujve një thirrje miqësie dhe solidariteti; për të respektuar dallimet dhe diversitetin; për të ndarë bashkërisht gëzimet dhe dëshpërimin, të mirën dhe të keqen, përfitimet dhe  përgjegjësitë, arritjet dhe mundimet, pasurinë dhe skamjen, bekimet dhe vështirësitë e jetës së përditshme.

Vlerat bektashiane marrin vlera të veçanta në botën e sotme të trazuar edhe nga konfliktet etnike e fetare. Drita dhe mësimet e paqta të besimit u kundërqëndrojnë ekstremistëve, terroristëve dhe forcave të errësirës. T’i lexojmë të gjithë këto mësime të Bektashizmit ashtu sikundër bektashinjtë gjatë 10 ditëve të Matemit lexuan vuajtjet e 72 dëshmorëve të rënë në fushën e Qerbelasë!

Në ditët e sotme, vartrat e konflikteve janë të shumta, por ne lutemi që njerëzimi të gjej paqe, mirësi, të pushohen konfliktet e luftrat, e njerëzimi të eci drejt zhvillimit e demokracisë.