Mundje/ Dudaev fiton medaljen e artë në ‘Grand Prix’ të Madridit
Mundja shqiptare vijon të shënojë rezultate të larta në kompeticione të ndryshme në arenën ndërkombëtare.
Suksesi më i fundit vjen nga kampionati “Grand Prix” i zhvilluar në Madrid, aty ku Islam Dudeav bëri të tijën medaljen e artë në stilin e lirë.
Lajmin e ka dhënë Federata Shqiptare e Mundjes me anë të një postimi në faqen e saj zyrtare, duke përgëzuar mundësin 30-vjeçar për rezultatin e arritur në Spanjë.
“Islam Dudaev fiton një tjetër medalje të artë, këtë herë në ‘Grand Prix Madrid’.
Me një paraqitje të shkëlqyer në çdo ndeshje, Islam Dudaev dëshmoi sërish se është një kampion i vërtetë, duke treguar forcë, teknikë dhe një shpirt luftarak që frymëzon të gjithë”, njofton FSHM-ja.
Kujtojmë që Islam Dudeav dhe Chermen Valiev, mundës që kanë ardhur nga Rusia, duke u ë natyralizuar me pasaporta shqiptare, janë futur në histori si medalistët e parë olimpik të Shqipërisë.
Ata, siç dihet morën secili medalje bronzi në Lojërat Olimpike “Paris 2024” dhe së bashku me Zelimkhan Abakarovin kanë shënuar rezultate të jashtëzakonshme për Shqipërinë në kompeticionet më prestigjioze të mundjes.
Vetëm pak ditë më parë Chermen Valiev fitoi medalje ari në Kampionatin Botëror të Ushtrisë, event që u zhvillua në Gjermani.
Valiev u shpall gjithashtu mundësi më i mirë i aktivitetit, duke marrë pikët maksimale teknike në këtë aktivitet.
