Gjergj Zefi “mund” SPAK-un edhe në Apel! 8 pafajësi për grupin e dr*gës. Vukaj, lirohet në sallë. 24 vjet burg shkuan kot

Gjykata e Apelit të Posaçëm, ka konfirmuar (dje) dështimin e ndjekjes penale për një dosje me Nr. 59, ku objekt hetimi ishin 11 të pandehur të akuzuar për vepra të rëndë penale si “Prodhim dhe shitje të drogës”, “Grupit të strukturuar kriminal”, ”Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”.

“Ora News” ka mësuar se treshja e gjyqtarëve të Apelit me kryesues Florjan Kalaja dhe anëtarë Miliana Muça dhe Dhimitër Lara, kanë vendosur të lenë në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë të marrë në datën, 16 Tetor 2024, duke nxjerë të pafajshëm 8 të pandehur.

8 personat që “blinduan” pafajësinë e tyre duke ju pushuar komplet çështja penale dhe akuzat, janë Gjergj Zefi, Saimir Prenga, dy vëllezërit Gjergji dhe Alfred Luli, Ilir Duro, Françesko Çeçi, Lorik Prengaj dhe Florind Vukaj.

Për këtë të fundit Gjykata e Apelit të Posaçëm urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia, pasi vijonte të qëndronte në burg për shkak të dënimit me 4.8 vite nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.

Të 8 personat e mësipërm u arrestuar nga prokurorët e SPAK, duke i izoluar për gati 3 vite me rradhë në paraburgim në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Së bashku të 8 personat nën hetim, kanë kryer gati 24 vite paraburgim, kohë kjo e shkuar kot dhe që askush nuk mund të mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë për këta persona prokurorët e SPAK në pretencën e tyre, kishin kërkuar dënime që varionin nga 11 deri në 12 vjet burgim për akuza si “Prodhim dhe shitje të drogës”, “Grupit të strukturuar kriminal”, ”Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, krime këto të kryera në teritorin Italian dhe në Shqipëri.

Të vetmit persona Gjykata e Apelit të Posaçëm dënoi nga ky grup i tregtimit të drogës, ishin të pandehurit Braniol Liço, Lulëzim Selimi dhe Dhimitër Nina.

Braniol Liço, ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës të Parë me 4.8 vite burgim, për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së drogës”. Por Apeli e gjeti fajtor edhe për “Grup të strukturuar kriminal”, duke e dënuar përfundimisht me 8 vite burgim.

Për të njëjtën akuzë u dënua dhe Lulëzim Selimi, ku nga 4.8 vite që ishte dënuar në Shkallë të Parë, me vendimin e Apelit të dhënë ditën e djeshme Selimi duhet të vuajë në total 6 vjet e 8 muaj burgim.

Gjithashtu e njëjta masë dënimi me 6 vjet e 8 muaj burgim u dha dhe për të pandehurin tjetër, Dhimitër Nina. Të vetmit që vijojnë të qëndrojnë në burg, janë këta të tre. Ndërsa 8 personat e tjerë janë liruar përfundimisht.

Disa muaj më parë SPAK, mori të pandehur dhe dërguar në gjyq 11 persona, si të dyshuar në tregtinë e drogës në Itali.

Braniol Liço alias Branjol Liço alias Branjol Ago, Florid Vukaj, Lulëzim Selimi, Dhimitër Nina, Saimir Prenga, Gjergji Luli, Alfred Luli, Ilir Duro, Francesko Çeçi, Lorik Prengaj alias Fabio Prengaj dhe Gjergj Zefi, akuzoheshin nga SPAK si pjesëmarrës në një grup kriminal që tregtonte kokainë në Itali.

Por për episodet e hetuara nga autoritet Italiane, këta persona ishin dënuar në Itali, duke vuajtur edhe dënimin në burgjet italiane.

Ndërsa në Shqipëri, SPAK kishte nisur një dosje të dytë paralele, duke nxjerrë masa sigurimi “arrest në burg” ndaj tyre dhe sekuestruar dhjetëra pasuri në Shqipëri.

JU PUSHUA ÇËSHTJA

1.     Saimir Prenga         Pushim çështje

2.     Gjergji Luli             Pushim çështje

3.     Alfred Luli              Pushim çështje

4.     Ilir Duro                Pushim çështje

5.     Françesko Çeçi      Pushim çështje

6.     Lorik Prengaj        Pushim çështje

7.     Gjergj Zefi           Pushim çështje

8.     Florind Vukaj       Pushim çështje

TË DËNUAR

1.     Braniol Liço, dënuar në Shkallës të Parë me 4.8 vite burgim. Apeli ia riti masën e dënimit me 8 vite burgim.

2.     Lulëzim Selimi, dënuar në Shkallë të Parë me 4.8 vite burgim. Apeli ia riti dënimin me 6 vjet e 8 muaj burgim.

3.     Dhimitër Nina dënuar në Shkallë të Parë me 4.8 vite burgim. Apeli ia riti dënimin me 6 vjet e 8 muaj burgim.

4.     Florind Vukaj dënuar në Shkallë të Parë me 4.8 vite burgim. Apeli vendosi ti pushojë komplet çështjen, duke e liruar menjëherë nga burgu.