Temperaturat e larta, DPMZSh kërkon kujdes të shtuar nga subjektet që tregtojnë hidrokarbure

Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit apeloi sot për kujdesin që duhet të bëjnë subjektet tregtare që tregtojnë lëndë të tipit hidrokarbure.

Sipas DPMZSH duhet monitoruar temperatura e rezervuarëve. Po ashtu subjektet duhet të kontrollojnë vazhdimisht temperaturën e rezervuarëve dhe depozitave për të shmangur mbinxehjen dhe presionin e brendshëm të rrezikshëm si dhe të përdorin sensorët e temperaturës dhe sistemit të alarmit në rast të tejkalimit të kufijve të sigurisë.

Gjithashtu duhet të ketë ventilim të mjaftueshëm. Për këtë duhet siguruar sistemi i ventilimit në vendet ku ruhen apo shpërndahen karburantet për të shmangur akumulimin e avujve të rrezikshëm.

Sa i takon pajisjeve të tokëzimit dhe antistatike, duhet që gjatë furnizimit apo shpërndarjes së karburantit, të gjitha automjetet dhe pompimet duhet të jenë të tokëzuara për të shmangur shkëndijat statike.

Gjithashtu, ndalohet pirja e duhanit dhe përdorimi i pajisjeve elektrike. Në të gjitha ambientet ku ka prezencë të lëndëve të djegshme duhet ndaluar duhani dhe çdo pajisje që prodhon shkëndijë ose nxehtësi.

DPMZSH apelon gjithashtu për kujdes gjatë shkarkimit dhe ngarkimit të karburanteve. Të shmanget ngarkimi ose shkarkimi gjatë orëve më të nxehta të ditës (zakonisht 11:00–17:00), për të parandaluar ekspozimin ndaj rrezikut të avullimit apo shpërthimit, thekson DPMZSH.

Po ashtu, sistemet e zjarrfikjes duhet të jenë në gatishmëri. Subjektet duhet të kenë të instaluar dhe funksional sisteme automatike dhe manuale për fikjen e zjarrit, si dhe personel të trajnuar për ndërhyrje emergjente, shton DPMZSH.

Sa i përket kufizimeve gjatë ditëve me temperatura të larta, DPMZSH apelon për kufizim të ngarkim-shkarkimit në orët e pikut të nxehtësisë.

Aktivitetet e manipulimit të karburanteve duhen kufizuar në mëngjes herët ose pasdite vonë kur temperaturat janë më të ulëta, apelon DPMZSH. Gjithashtu ndalohet transporti në rrugë të mbipopulluara gjatë pikut të nxehtësisë.

Të shmanget transporti i karburanteve në zonat urbane të dendura gjatë orëve të pikut për të minimizuar rrezikun ndaj popullsisë në rast incidenti, thekson DPMZSH. Po ashtu, subjektet duhet të kufizohet  qëndrimi i automjeteve të ngarkuara në diell.

DPMZSH apelon se, automjetet që transportojnë lëndë djegëse nuk duhet të qëndrojnë për kohë të gjatë të parkuara në diell të drejtpërdrejtë, shoferët të ndalojnë kategorikisht pirjen e duhanit.

Po ashtu DPMZSH, thekson se autoritetet duhet të intensifikojnë inspektimet për të siguruar që subjektet zbatojnë të gjitha rregullat teknike dhe të sigurisë.

DPMZSH nënvizon se, për të parandaluar aksidentet dhe rreziqet që lidhen me nxehtësinë ekstreme, subjektet që tregtojnë benzina, naftë dhe gaz të lëngshëm duhet të tregojnë kujdes të shtuar, të zbatojnë me rigorozitet rregullat teknike dhe të kenë gjithmonë plane emergjence të gatshme për zbatim.