Gastronomia e qëndrueshme/ Prengëzaj: Rikthimi te tradita dhe produktet vendase

Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua tema “Gastronomia e qëndrueshme”, në kuadër të Ditës Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme, që mbahet më 18 qershor i ftuari në studio, Asim Prengëzaj, nga Shoqata Shqiptare e Shefave dhe Ushqimit, theksoi se gastronomia shqiptare po i rikthehet gjithnjë e më shumë traditës dhe produkteve vendase, një proces që ai e konsideron shumë pozitiv.

Sipas tij, grupi që ai drejton është i përqendruar në promovimin e recetave tradicionale shqiptare dhe të produkteve lokale.

Megjithatë, sfidat mbeten, sidomos për shkak të mungesës së certifikimeve për produktet vendase, çka e bën të vështirë promovimin në shkallë të gjerë dhe ndërtimin e një zinxhiri furnizimi të qëndrueshëm për restorantet, për shkak të sasisë së kufizuar.

Prengëzaj shtoi se prodhimi dhe riprodhimi i këtyre produkteve po ecin paralelisht, duke sjellë përmirësim gradual në kuzhinën shqiptare.

“Sot, sytë e gastronomisë janë kthyer drejt traditës dhe vlerave historike që kemi pasur. Edhe turistët kërkojnë përvojën tradicionale shqiptare, e cila ndërthuret me kuzhinën mesdhetare që ne ofrojmë,” – tha ai.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e zonave rurale për promovimin e produkteve lokale dhe për krijimin e punësimit familjar përmes bujtinave.

“Është e vështirë që një shef shqiptar të lëvizë brenda vendit, por kjo po ndodh dhe është një shenjë pozitive. Infrastruktura e përmirësuar ka shkurtuar distancat dhe kjo po funksionon mirë” përfundoi Prengëzaj.