Tradita që ‘tund’ botën, nga fusha e farës te librat e Michelin, Kolonja si model turizmi rajonal
Në emisionin “Alert”, i moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u trajtua tema “Gastronomia e qëndrueshme”, me rastin e Ditës Botërore të Gastronomisë së Qëndrueshme më 18 qershor.
Gastronomia e qëndrueshme nuk është vetëm trashëgimi kulturore, por edhe model zhvillimi ekonomik, që ruan mjedisin dhe fuqizon komunitetet rurale. E ftuar në lidhje online nga Kolonja, Jonida Hëna sipërmarrëse në agroturizëm, ndau përvojën e saj si një nga pionieret e këtij sektori.
Zona e Kolonjës po shndërrohet në një destinacion të fuqishëm agroturistik, me një fluks të madh turistësh në fundjavë dhe gjatë sezonit veror që nis në prill.
Një nga pikat kyçe të tërheqjes është ushqimi tradicional dhe farërat autoktone, të cilat trashëgohen brez pas brezi dhe përshtaten më së miri me klimën e ashpër të zonës.
“Të gjitha recetat tradicionale ruhen me shumë kujdes. Ato janë pasuri kulturore dhe një mundësi reale për të gjeneruar të ardhura përmes agroturizmit.”
Jonida Hëna theksoi se turizmi ka ndryshuar rrënjësisht, nga një fenomen sezonal dimëror në një aktivitet të përjavshëm, me kërkesë të lartë për shërbime cilësore dhe përvoja tradicionale.
Turistët e huaj preferojnë receta të thjeshta, por autentike, dhe përfshihen në aktivitete si gatimi i ushqimeve tradicionale me zonjat e kuzhinës.
Një moment kulmor ishte vizita e një kuzhinieri të njohur të “Michelin Guide” vitin e kaluar, i cili përzgjodhi për librin e tij gollofacën – një nga tre recetat shqiptare që pati mundësinë të provojë në bujtinën e saj.
“Për të ndërtuar një model të qëndrueshëm duhet përkushtim dhe dashuri,” theksoi ajo.
Promovimi i agroturizmit ka marrë mbështetje nga qeveria shqiptare – kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime në këtë zonë dhe ka premtuar më shumë mbështetje për agroturizmin në të ardhmen.
Moderator Sokolaj shtoi se edhe organizata GIZ ka qenë e angazhuar me projekte të tilla në Shqipëri, duke përmendur projektin SRD si një nga nismat më aktive në këtë drejtim.
