Francë/ Macron propozon ligjin për vra*jen e ujqërve në vend

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha sot se mund të nevojitet një ligj i ri për të lejuar vrasjen e më shumë ujqërve në Francë, duke përmendur rritjen e incidenteve me këto dhe ndikimin që kanë në jetën rurale.

"Nuk do të lejojmë që ujqërit të përhapen në zona ku zhvillojmë aktivitetet tona," tha Macron të enjten.

"Duhet të vrasim më shumë," shtoi ai, duke shtuar me tone kritike: "Ata që bëjnë ligje dhe nuk jetojnë me kafshët e tyre në zona ku ka ujqër dhe arinj, le të shkojnë e të kalojnë dy netë atje."

Sipas Politico, raportet për sulme të ujqërve ndaj bagëtive në Francë janë rritur gjatë 15 viteve të fundit, me më shumë se 10,000 raste të vdekjeve të kafshëve të raportuara në vitet e fundit.

Reagimi i Francës vjen në vijim të ndryshimeve në nivel evropian.

Në maj, Parlamenti Evropian miratoi një ndryshim në Direktivën për Habitatet të Bashkimit Evropian, duke e zhvendosur statusin e ujkut nga një specie ‘e mbrojtur në mënyrë strikte’ në specie ‘e mbrojtur’.

Ky ndryshim ua lehtëson fermerëve në BE që të vrasin ujqërit që kërcënojnë bagëtinë e tyre.

Direktiva e re do të hyjë në fuqi më 14 korrik, ndërsa vendet anëtare kanë kohë deri në janar 2027 për ta përfshirë atë në legjislacionin kombëtar.

Ky vendim u shty përpara nga Partia Popullore Evropiane, si pjesë e përpjekjeve për të tërhequr votën e fermerëve përpara zgjedhjeve evropiane të vitit 2024.

Çështja ka pasur edhe një ndikim personal: poni i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u vra nga një ujk në vitin 2022.