Zjarri në Landfillin e Elbasanit vijon për të tretën ditë, nis ndërhyrja nga ajri

Pas orëve të tëra përpjekjesh tokësore për të izoluar zjarrit në fushën e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit, autoritetet kanë vendosur të përdorin helikopterët për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

Sipas informacioneve, që prej orës 16:00 të ditës së sotme, helikopterët kanë nisur operacionet ajrore mbi zonën e prekur me qëllim përshpejtimin e ndërhyrjes dhe minimizimin e rrezikut nga përhapja e mëtejshme e zjarrit në thellësinë e mbetjeve.

Ndërhyrja nga ajri është bërë e domosdoshme për shkak të vështirësive në akses dhe intensitetit të flakëve që vazhdojnë të digjen në shtresat e brendshme të fushës së mbetjeve, pavarësisht hedhjes së mbi 10.500 metra kub dherash.

Aktivizimi i helikopterëve ndodh në një moment kritik, ndërsa shtëllunga të mëdha tymi përhapen në zonën përreth, duke rritur shqetësimet për ndotjen e ajrit dhe ndikimin e mundshëm në shëndetin e banorëve.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë një afat për kur pritet të vihet nën kontroll i plotë zjarri.