Sezoni turistik, Bashkia e Lezhës, në terren për pastrimin e përditshëm të vijës bregdetare

Bashkia e Lezhës, në kulmin e sezonit turistik, ka vënë në fokus pastrimin e përditshëm të vijës bregdetare, me synimin për të ofruar një sezon sa më të pastër dhe të mirë për pushuesit.

Për këtë janë shtuar ndërhyrjet në terren dhe mjetet për sitjen e rërës.

Autoritetet e Njësisë Administrative Shëngjin, përfaqësuar nga Brahim Demi, thonë se territori i plazhit është zgjeruar, duke shtuar nevojën për më shumë ndërhyrje dhe kujdes nga strukturat bashkiake.

Vëmendje e shtuar kërkohet edhe në zonën e Kunës, e cila po njeh një rritje të ndjeshme të numrit të pushuesve.

Përgjegjësi turistik i kësaj njësie shtoi gjithashtu se duhet një ndërgjegjësim më i madh edhe nga vetë pushuesit.

Shëngjini, si një nga destinacionet kryesore të bregdetit shqiptar, po synon të ofrojë standarde të larta mikpritjeje, ku pastërtia dhe kujdesi ndaj mjedisit janë prioritet kryesor i kësaj bashkie.