30-vjetori i krijimit të Forcave Komando, Kingji: Moment për të vlerësuar kontributin e kësaj strukture elitare
Forcat Komando shënuan 30-vjetorin e krijimit.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, e cilësoi këtë përvjetor si një moment për të vlerësuar kontributin dhe përkushtimin e kësaj strukture elitare në përmbushjen e detyrave, misioneve dhe operacioneve ndër vite.
Si pjesë integrale e Forcave të Armatosura, vijojnë të përfaqësojnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi uniformën që mbajnë.
Kingji uroi të gjithë efektivët që kanë shërbyer dhe shërbejnë sot në këtë njësi.
“Përgatitja dhe angazhimi mbeten thelbësore për përballimin e sfidave të së ardhmes”, theksoi ai në një postim në rrjetet sociale.
Tre dekada më parë, 28 qershor 1995, me krijimin e Brigadës Komando, sot Batalioni Komando dhe pjesë e Regjimentit të Operacioneve Speciale, u hodhën themelet e një strukture që do të bëhej simbol i profesionalizmit dhe përkushtimit në shërbim të atdheut.
Që prej vitit 1995, ky repart ka vendosur standarde të larta në stërvitje, operacione të specializuara, mbrojtje të infrastrukturës kritike kombëtare dhe ne misione ndërkombëtare.
Angazhimi në operacione në Afganistan, Irak, Çad, Bosnjë, Kosovë dhe në zona të tjera të konfliktit ka konfirmuar gatishmërinë, vendosmërinë dhe nivelin e lartë të përgatitjes që karakterizon Batalionin Komando.
