I morën padrejtësisht 500 mijë € Buxhetit të Shtetit, i pandehur Ardian Kaza i firmën “Munella” dhe kreu KPP-së Jonaid Myzyri
Një dëm financiar prej gati 500 mijë euro, shkaktuar buxhetit të shtetit, është bërë shkak për pezullimin nga detyra dhe marrjen të pandehur të kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyrit.
Vendimi i gjykatës, për pezullimin nga detyra të Myzyrit, erdhi pas një hetimi të zhvilluar nga prokuroria e posaçme SPAK, lidhur me procedurën tenderuese me vlerë 2.2 milion euro, ku fituese u shpall bashkimi i Operatorëve Ekonomikë, “Drini-1”, me pronare Pëllumbesha Martini dhe “AEK-Munella” në pronësi të Adrian Kaza, Kristian Kaza dhe Zef Kaza.
Hetimi i SPAK, doli në përfundimin se zyrtarë të Komisionit të Prokurimeve Publike, gjatë procedurës tenderuese për mirëmbajtjen 4 vjeçare të rrugës “Rrëshen-Shpal” dhe “Ura e Repsit”, kanë kryer veprën penalë të “Shkeljes së pabarazisë në tenderat publikë”.
Bashkë me Myzyrin tashmë të pandehur janë marrë dhe zyrtarët e KPP Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj, Enkelejda Bega, Vladimir Hodaj, Gerald Adhiaj dhe A.Hasani.
Ndërkohë të pandehur për “Falsifikim të vulave, i stampave ose i formularëve” janë marrë Ardian Kaza pronar i kompanisë fituese “AEK-Munella”, Mehdi Lala administrator i kompanisë “Alb Shpresa” dhe pronarin e kompanisë “Jubica”, Ndoc Kulla.
Sipas dosjes hetimore zyrtarët e ARRSH dhe KPP-së me në krye Jonaid Myzyri, kanë skualifikuar në mënyrë të qëllimtë 3 kompaninë pjesëmarëse, që kishin dhënë ofertë më të ulët, si “Alb Shpresa & Mela” me çmim 1.5 milionë euro, “Jubica” me çmimin 1.75 milionë euro dhe “Kthella” me 1.5 milion euro.
Por pas këtij vendimi të ARRSH, dy kompanitë që kishin ofruar çmimin më të lartë, “Munella” dhe “Drini-1” e ankimuan vlerësimin në Komisionin e Prokurimeve Publike. Kjo fazë ishte zanafilla e një procesi, që më vonë do t’i hapte jo pak telashe, Jonaid Myzyrit.
Pasi shqyrtoi ankesën Komisioni i Prokurimeve i drejtuar nga Jonaid Myzyri, urdhëroi Autoritetin Rrugor Shqiptar të ribënte rivlerësim të fituesit duke i shtuar pikë bashkimit të shoqërive “Munella & Drini-1” si dhe duke ja u pakësuar kompanive që kishin ofertat më të ulëta.
“Metodologjia e propozuar nga Alb Shpresa” ShPK nuk përmbush elementët minimale të kërkuar nga ana e autoritetit kontraktor në drejtim të grafikut të propozuar të punimeve dhe si e tillë ajo duhet vlerësuar me një vlerësim ndjeshëm më të ulët se sa ajo e operatorit ekonomik ankimues, gjithashtu edhe metodologjia e propozuar nga ana e operatorit tjetër ekonomik “Jubica” duhet vlerësuar me pikë më pak se sa ajo e Munella & Drini-1, i cili ka propozuar një kohëzgjatje të më shkurtër të realizimit të punimeve, parë në rrafsh krahasimor me atë të operatorit ekonomik “Jubica” ShPK,” thuhej në vendimin e KPP.
Kjo fjali e Komisionit të Prokurimeve, praktikisht e përmbyste fituesin e tenderit të majmë duke ja hequr atë kompanisë me ofertën më të ulët dhe duke ia dhënë bashkimit të shoqërive Aek Munella & Drini-1, të cilat kishin një çmim 500 mijë euro më të lartë se sa fituesi që kishte shpall ARRSH, pra joint venture Alb Shpresa & Mela.
Pas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri rivlerësimin formal të pikëve dhe në janar të vitit 2021, zyrtarizoi si fituese të tenderit ofertën më të lartë të “AEK Munella & Drini”, e cila u merrte qytetarëve shqiptarë padrejtësisht 500 mijë euro.
