Kthyen hapësirën publike në parkim me pagesë/ Procedohen penalisht një qytetar dhe drejtori i Policisë Bashkiake në Vlorë

VLORË- Policia e Vlorës ka ndërhyrë për të liruar një hapësirë publike të zënë në mënyrë të paligjshme në zonën e ish-“Shkollës së Marinës”, në lagjen “10 Korriku”. 

Hapsira publike ishte kthyer në parkim privat me trarë dhe tabela, kundrejt pagesës.

Si rezultat i kontrolleve në terren, u procedua penalisht 44-vjeçari me iniciale R.F, i dyshuar për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjithashtu, u procedua edhe drejtori i Policisë Bashkiake, E. I., 30 vjeç, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se ka lejuar vijimin e këtij aktiviteti të paligjshëm pa marrë masa.

Hapësira u lirua me ndërhyrjen e karrotrecëve, ndërsa automjetet e parkuara në mënyrë të paligjshme u larguan.