Akademia e Shkencave certifikon specialistët për platformat digjitale të kërkimit shkencor
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka përmbyllur me sukses procesin e trajnimit dhe testimit profesional të specialistëve të informacionit, si pjesë e strategjisë për forcimin e infrastrukturës shkencore dhe rritjen e transparencës në kërkimin akademik në vend.
Akademia e Shkencave njofton se, ky proces, i organizuar përmes Qendrës për Koordinimin dhe Përhapjen e Informacionit Shkencor (QKPISH), ka rezultuar me certifikimin dhe pajisjen me licensa për përdorimin e platformave ECRIS.AL dhe COBISS.AL – dy sisteme kyçe për menaxhimin dhe vlerësimin e veprimtarisë shkencore në Shqipëri.
Specialistët e licensuar, përfshirë edhe stafin e Bibliotekës Shkencore të Akademisë së Shkencave, do të përdorin këto platforma për digjitalizimin e veprimtarisë kërkimore të studiuesve, menaxhimin e bibliografive shkencore online, vlerësimin e rezultateve të kërkimit, si dhe për promovimin dhe ofrimin e aksesit të gjerë ndaj prurjeve shkencore.
Kjo iniciativë përbën një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të informacionit shkencor dhe integrimit të Shqipërisë në rrjetet ndërkombëtare të kërkimit, duke mundësuar përfshirjen në projekte bashkëpunimi dhe akses të hapur ndaj dijes globale.
Projekti është rezultat i bashkëpunimit ndërinstitucional për zhvillimin e infrastrukturës digjitale në fushën e shkencës dhe teknologjisë së informacionit. Në vijim, Akademia e Shkencave do të vijojë me trajnime dhe aktivitete të mëtejshme për të fuqizuar kapacitetet profesionale të specialistëve dhe për të nxitur përdorimin e gjerë të platformave digjitale në institucionet akademike dhe kërkimore në vend.
