VIDEO/ Një orë në SPAK, Flamur Noka lë prokurorinë: Isha për krimet zgjedhore që na u premtua se ...
Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është paraqitur mëngjesin e kësaj të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ndërsa nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK, mbi arsyet e paraqitjes ishte vetë Flamur Noka që do t’i zbardhte pas daljes së tij nga SPAK ku qëndroi për afro 1 orë.
Noka u shpreh se ajo që na u premtua në janar për luftë ndaj krimeve zgjedhore nuk është realizuar nga SPAK-u.
"Isha këtu për denoncimet që kemi bërë në fushatë elektorale. Dhe task-forca, e cila u ngritur për të hetuar krimin elektoral, na rezulton që vdiq pa u ngritur akoma.
Deri më tani, krimi elektoral që na u premtua se në janar të vitit 2025 do fillonte ndëshkimin ndaj tij, sot është duke i bërë karshillëk edhe godinës së SPAK-ut. Sot krimi elektoralë është më i institucionalizuar se kurrë.
Sot krimi elektoral është ai që ka vendosur fatin e votës së shqiptarëve.
Janë dhjetëra raste kallëzimesh dhe referimesh që PD dhe opozita kanë paraqitur te Skapi i partisë, duke nisur që nga Durrësi, Vora, Elbasani, Shkodra, Fieri, Vlora dhe gjithë Shqipëria.
Ne nuk jemi organ hetimor. Organi hetimor presupozohet të ishte ky që është këtu mbrapa.
Isha për një sërë kallëzimesh që lidhen vetëm me krimet zgjedhore. Po ua përsëris, konstatova që task-forca elektorale për krimin zgjedhor, kishte vdekur atë ditë që ishte krijuar", u shpreh Flamur Noka.

