Këlliçi: Kriteret e Kopenhagenit janë shkelur në këto zgjedhje, nuk u hetua shitblerja e votës
TIRANË- Deputeti i zgjedhur i PD-së për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi ka marrë pjesë në një tryezë të organizuar për monitorimin e zgjedhjeve të 11 majit.
Këlliçi tha se do donte që i pranishëm të ishte dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, ndërsa diskutohej për punën e Task Forcës së ngritur nga Prokuroria e Posaçme për zgjedhjet e 11 majit.
Më tej ai foli për zhvillimin e zgjedhjeve ku tha se Task Forca e prokurorisë dështoi në punën e saj.
Ai u shpreh se Suel Çela, një person i shpallur në kërkim për trafik narkotikësh strehohet në Elbasan, ndërsa shtoi se ka sponsorizuar disa deputetë në atë qark.
Këlliçi tha më tej se për incidentet e regjistruara ditën e zgjedhjeve nuk ka pasur asnjë komunikatë zyrtare nga Task Forca. Gjithashtu tha se dhe reagimi i Policisë së Shtetit në momentin e këtyre incidenteve ka qenë i vonë.
Ai theksoi se ngritja e një Task Force do të ishte e suksesshme nëse do të parandalonte shantazhimin, blerjen dhe intimidimin e votës.
Ndërkohë në momentin që Këlliçi po mbante fjalën, të pranishëm nuk ishin as kreu i SPAK dhe as drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Ky i fundit dhe Dumani ishin larguar nga tryeza pasi kanë mbajtur fjalën e tyre.
FJALA E KËLLIÇIT:
Më bënë të ndjehem sikur kam garuar në Danimarkë në zgjedhjet e 11 majit. Vetëm lidhje me realitetin në Shqipëri, nuk ka pasur fjala e drejtuesve në panelin e parë në raport me zgjedhjet e mbajtura në vendin tonë.
Do të doja të ishte këtu dhe Dumani të flisnim për suksesin e Task Force ngritur nga SPAK dhe rastet konkrete që ai përmendi. Jam i habitur dhe më bëri përshtypje fjala e kryetares së komisionit të Helsinkit që tha se e Prokuroria e Elbasanit ka bërë një punë që ju ka impresionuar?
Zonjë për çfarë? Suel Çela, një ndër narkotrafikantët më të mëdhenj të Europës qëndron në Elbasan. E dinë të gjithë që strehohet në Elbasan. Ka deputetë të caktuar që i ka sponsorizuar në qarkun e Elbasani. E as prokuroria e Elbasanit nuk guxon të bëjë detyrën. E njëjta gjë vlen dhe për drejtuesin e policisë së shtetit që më kujtojnë kronikat e lajmeve të viteve 70 – 80, në kulmin e diktaturës ku flitet për suksese imagjinare.
Në datën 11 maj kam denoncuar zyrë elektorale të padeklaruar live para mediave. Është dashur mbi 90 minuta e 6 telefonata që një patrullë që qëndronte 15 metra larg, ku ndodhej zyra e padeklaruar e PS-së, pronësinë e mori Erion Brace shoqëruar me një person me precedentë kriminalë, të vinte në vendngjarje. Kam telefonuar zotin Dumani, për cilin numër të gjelbër flet kur unë para mediave kam telefonuar 2 herë e nuk funksiononte. Tha se SPAK ka marë kontakt me denoncuesit e partive politike. Me kë ka marrë në PD-në, që është forca më e madhe opozitare në vend?
Nëse ne mendojmë që në të gjithë Shqipërinë paskan qenë vetëm 9 raste për të cilat ka nisur kryesisht hetime atëherë ne kemi standardet më të larta në Europë. Ndërkohë nga selia qendrore e PD-së për 6 javë janë denoncuar me video pamje si funksionon skema e trenit bullgar në Elbasan. Si komisionerë të ngarkuar për mirëmbatjen e procesit kthejnë kutinë përmbys, nxjerrin fletën e votimit e hapin e palosin dhe e fusin brenda. Janë denoncuar me dhjetra pamje të përplasjeve me krimin e organizuar dhe nuk kemi asnjë kontakt dhe asnjë reagim zyrtar.
Nuk kemi asnjë kontakt dhe as një reagim zyrtar nga Task Forca. U fol për një punë të shkëlqyer të Policisë së Shtetit. Ndërkohë është shkruar dhe dokumentuar nga ndërkombëtarët konflikti fizik e verbal në bashkinë e Vorës mes 2 titullarëve të PD dhe pjesëtarëve me precedentë penalë që ishin aty si përfaqësues të maxhorancës. Është thënë dhe nga vëzhguesit ndërkombëtar që nuk arrinim të kuptonim përse policia për 2 orë nuk shkonte në vendngjarje. Kur ndodhi në Vorë e kuptoni cfarë ka ndodhur në qarqet e tjera të vendit.
Edhe kriteret e Kopenhagen janë shkelur në këto zgjedhje. Apo liria e marrjes së informacionit për shkak të censurës si Tik Toku që pas zgjedhjeve u hap. Këto tryeza më rikthyen në memorien ku kam shërbyer në kuvend ku shpesh dhe për shkak të burokracisë, flasim për cheklist që duhen plotësuar. Ndërkohë Komisioni i jashtëm i PE-së dhe Asambleja e Partisë Popullore Europiane vendosën të sjellin dy misione faktmbledhëse në Shqipëri.
Një prej organizatat më të mëdha të së djathtës, IDC-CDI i konsideron zgjedhjet e mbajtura në Shqipëri farsë zgjedhore të organizuar nga një shtet elektoral. Çdo ditë PD vijon të pasqyrojë në media ndërkohë që nuk ka pasur as qasjen më minimale nga ana e organit të akuzës të paktën për të verifikuar ato pamje që ne bëjmë publike. Këto do ishin pyetje që do ia drejtoja drejtuesit të SPAK. Cili është bilanci real i task Forcë së SPAK? Vetëm ngritja e në vetvete e një task forcë nuk mund të jetë sukses. Sukses do të ishin nëse do të ishte eficiente e të parandalonte shantazhimin e votës, blerjen e intimidimin e votës.
