Hapet për vizitorët mozaiku i Bazilikës Paleokristiane të Linit

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore publikoi pamjet e zbulimit të mozaikut të Bazilikës Paleokristiane të Linit.

Hapja e mozaikut për vizitorët bëhet në kuadër të sezonit turistik. Mozaiku është një atraksion i veçantë për të gjithë ata që duan të përjetojnë nga afër trashëgiminë kulturore.

Me këtë rast, IKTK-ja ftoi të gjithë të vizitojnë Bazilikën Paleokristiane të Linit, një monument i shekullit VI, e cila është një dëshmi e vyer e kulturës dhe historisë shqiptare.

Bazilika e Linit u zbulua në vitin 1967 nga një ekspeditë e muzeut të Pogradecit. Ajo përbëhet nga naosi, dy kapela me absidë në jug dhe veri, baptiseri, atriumi dhe një kapelë katërkonkshe.

Gjithë kompleksi ka dyshemetë e shtruara me mozaikë të cilët shfaqin motive gjeometrike, bimore dhe zoomorfe, ku mbizotërojnë elementët fetare.

Mozaiku i Linit konsiderohet si më i veçanti nga të gjithë mozaikët e tjerë me karakteristika fetare.