Ekspozita dokumentare e Arkivit të Shtetit në 25-vjetorin e “Avokatit të Popullit”
Me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave çeli një ekspozitë të veçantë dokumentare, e cila sjell në vëmendje historinë e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Në këtë ekspozitë u paraqitën dokumente arkivore të rralla, që ndriçojnë zhvillimin historik të legjislacionit shqiptar mbi të drejtat dhe liritë themelore të individit: nga periudha e krijimit të shtetit modern dhe deri te lufta e Kosovës.
Ekspozita vë në pah kontributin e arkivave në ruajtjen e kujtesës institucionale dhe në dokumentimin e përpjekjeve për një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike.
Ajo vjen si një kujtesë se respektimi i të drejtave të njeriut ka qenë dhe mbetet një sfidë e përhershme, por edhe një angazhim që duhet ruajtur me ndërgjegje dhe përgjegjësi.
Mes dokumenteve më të spikatura të ekspozuara është Dekreti mbretëror mbi ndalimin e mbulimit të fytyrës së grave (9 mars 1937); Deklarata për mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri (1921); Urdhër i Kryeministrit për grumbullimin e provave mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë (1999); Rezolutë e Këshillit të Europës për lirimin e të burgosurve politikë në Europën Lindore etj.
