Veliaj, fatura milionëshe për liri/ Çipa: Politikanët shqiptarë po zgjedhin studio ligjore ndërkombëtare me fatura hiper të majme

I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, gazetari Aleksandër Çipa komentoi situatën e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke theksuar se ndodhet në një pozitë të vështirë politike dhe juridike, ndërsa ka zgjedhur të përfaqësohet nga studio ndërkombëtare ligjore dhe PR, me kosto të larta.

" Politikisht është në pozitën më të vështirë sepse ndodhet para një procesi i cili do të mbetet në kalenda, mendo nuk ka filluar ende si proces juridik.

Është ende nën akuzë dhe pretendimi që proceset e hetimit janë ende vijuse por është në të njëjtën kohë edhe në një pozitë që ai e vazhdon luftën politike.

Edhe fakti që është drejtuar në dy studio, njëra besoj se është studio për mbrojtje ligjore dhe tjetra është ndoshta studio PR.

Ndonëse e kemi pak të vështirë për të gjykuar për kontratën konkrete në pikëpamjen e zërave financiar që mban. 

Krahasuar me disa shërbime të tilla të ofruara në profilet publike shqiptare kjo nuk është kaq tronditëse, ndërkohë që ka profile të tjera politike dhe publike në Shqipëri që i kanë më tronditëse faturat e këtyre lloj shërbimeve.

Më bën diçka përshtypje dhe duhet ta them. Mesa duket kemi mbërritur në kohën ku politikanët tanë përfundimisht e kanë ngritur piacën në kuptimin financiar të termit për të mos patur besim tek studiot brenda hapësirës administrative të Shqipërisë por kanë vetëm besim tek studiot ligjore ndërkombëtare të cilat faturat i kanë jo të majme, por hiper të majme", u shpreh Çipa.