Samiti i NATO-s në 2027 do të organizohet në Shqipëri, reagon Rama dhe publikon fotot

Në Samitin e NATO-s që u mbajt së fundmi në Hagë, u mor vendimi unanim që në 2027 ky aktivitet të zhvillohet në Tiranë.

Ky lajm u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Hagë, Samiti i NATO-s vendosi unanimisht organizimin e tij në Tiranë në 2027”, shkruan Rama.

Samiti i NATO-s në Tiranë pritet të forcojë pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe të nxjerrë në pah rolin strategjik që ajo ka në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Liderët e NATO-s miratuan deklaratën e përbashkët gjatë Samitit të Hagës, në të cilën kanë riafirmuar angazhimet ndaj Aleancës, duke theksuar nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit, “një sulm ndaj njëri, është një sulm ndaj të gjithëve”.

Në këtë deklaratë theksohet edhe plani për të investuar 5 për qind të PBB-së nga të gjitha vendet anëtare.

“Të bashkuar përballë kërcënimeve dhe sfidave të thella të sigurisë, në veçanti kërcënimit afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike dhe kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit, aleatët angazhohen të investojnë 5% të PBB-së çdo vit në kërkesat thelbësore të mbrojtjes, si dhe në shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035”- thuhet në deklaratë.

Ndërkohë që pikën e fundit përmendet edhe Shqipëria, e cila pritet të jetë një ndër vendet e Samitit të radhës pas Turqisë në vitin 2026.

“Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare që na ofroi Mbretëria e Holandës. Presim me padurim takimin tonë të radhës në Turqi në vitin 2026, i ndjekur nga një takim në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e përbashkët të krerëve të shteteve të NATO-s.