Zvicra gati të nisë bisedimet me BE për pjesëmarrjen e saj në projektet për prokurimin e armëve
Zvicra do të nisë bisedimet me Bashkimin Evropian për një partneritet jo-detyrues në fushën e prokurimit të armëve, njoftoi qeveria ditën e sotme, ndërsa vendi neutral alpin synon të forcojë lidhjet e tij të sigurisë me bllokun evropian.
Sipas autoriteteve zvicerane, partneritete të tilla janë të domosdoshme që vendet jo-anëtare të BE-së të marrin pjesë në projektet e përbashkëta të mbrojtjes.
Qeveria theksoi se ky hap është në përputhje me politikën e neutralitetit dhe do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit.
“Zvicra është e interesuar për një bashkëpunim më të thellë me BE-në, veçanërisht në fushën e armatimeve,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se bisedimet pritet të nisin sa më shpejt të jetë e mundur.
Një marrëveshje partneriteti do t’i lejonte Zvicrës të negociojë kushte më të favorshme për përfshirjen e industrisë së saj në programet evropiane të mbrojtjes.
Deri tani, BE-ja ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me disa vende të tjera dhe planifikon të zgjerojë rrjetin e partneriteteve.
Kompanitë nga vendet partnere kanë të drejtë të aplikojnë për fonde nga programi evropian i armatimeve, i cili kap vlerën e 150 miliardë eurove, për sa kohë që plotësojnë kushtet përkatëse.
Po sot, qeveria zvicerane miratoi edhe një projekt-marrëveshje bashkëpunimi me Ukrainën për rindërtimin e vendit, e cila do të krijojë bazën ligjore për përfshirjen më aktive të sektorit privat zviceran në procesin e rindërtimit.
