Pr.ligji për rezervat materiale të shtetit, Joti: Risi, bashkëpunimi me operatorët privatë
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Enekelejd Joti prezantoi sot në Komisionin për Sigurinë Kombëtare projektligjin “Për rezervat materiale të shtetit”.
Në fjalën e tij, Joti u shpreh se, “pr.ligji ka për qëllim përshtatjen e legjislacionit për rezervat materiale të shtetit me ndryshimet e fundit ligjore të bëra në fushën e mbrojtjes civile dhe synon riorganizmin infrastrukturor të rezervës materiale të shtetit sipas planeve strategjike afatmesme dhe afatgjata”.
Joti theksoi se, “nëpërmjet risive të parashikuara në pr.ligj synohet përditësimi, plotësimi i kapaciteteve të rezervave materiale të shtetit duke marrë në konsideratë ndryshimet e numrit të popullsisë, lëvizjet demografike si dhe nevojat e mundshme në situata e gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së fatkeqësive natyrore, emergjencat civile vendore dhe rajonale”.
Ai shtoi se, nevoja për hartimin e këtij pr.ligji niset nga mangësitë dhe problematikat e hasura nga zbatimi i ligjit aktual i papërditësuar prej shumë kohësh.
Sa i përket sigurisë kombëtare dhe kapaciteteve mbrojtëse, Joti tha se, “ky ligj thekson rolin e rezervave materiale të shtetit si domosdoshmëri në garantimin e sigurisë kombëtare dhe menaxhimin e emergjencave civile, pandemive dhe fatkeqësive natyrore”.
“Pr.ligji i ri ka shtuar burimin e krijimit të rezervës shtetërore, duke përfshirë në burim të krijimit të saj, jo vetëm buxhetin e shtetit dhe asetet e luajtshme dhe të paluajtshme në përgjegjësinë e administrimit të rezervës, por edhe mallrat e konfiskuara me vlerë përdorimi, si dhe mallrat ndihmë humanitare, administrimi dhe menaxhimi i të cilave do të rregullohet me aktet e reja nën/ligjore në vijim”, tha zv.ministri.
Joti theksoi se, “risi e ligjit është parashikimi në të i mundësisë bashkëpunimit të rezervës materiale të shtetit me operatorët ekonomikë privatë dhe garantimin, ruajtjen, mirëmbajtjen dhe freskimin e rezervës materiale të shtetit brenda kërkesave ligjore dhe standardeve cilësore të përdorimit të mallrave”.
Zv.ministri Joti shtoi se, “zbatimi i këtij pr.ligji pritet të krijojë vende të reja pune në sektorë si logjistikë, magazinim dhe transport”.
Joti nënvizoi se, “ky pr.ligj është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të sigurisë, gatishmërisë dhe rezistencës së shtetit ndaj situatave të jashtëzakonshme”.

