VIDEO/ “Mjekë për Shqipërinë”, Koçiu: Katër mjeke të reja përforcojnë shërbimin në Vlorë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka përcjellë sot shembullin e katër të rejave që kanë aplikuar në portalin “Mjekë për Shqipërinë” pas përfundimit të studimeve për mjekësi dhe tashmë u janë bashkuar ekipeve shëndetësore në Vlorë.

Ministrja Koçiu shprehet se “katër mjeket e reja, kanë aplikuar në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, një proces që garanton transparencë dhe meritokraci”.

Ministrja Koçiu u ka uruar mjekeve të reja një rrugëtim të mbarë në shërbim të qytetarëve!.

Mjekja Afërdita Baçi, e specializuar si gastrohepatologe, shpjegon se përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë” ka aplikuar për pozicionin vakant të gastrohepatologes në Spitalin Rajonal Fier.

“Pasi kalova fazës e parë, sapo dhashë intervistën me gojë për këtë pozicion dhe jam në pritje për fazën e tretë”, tha ajo.

Ndërsa mjekja Kristela Pepa thotë se pas përfundimit të studimeve për Mjekësi të Përgjithshme në Romë, vendosi që të kthehet në Shqipëri për t’u shërbyer qytetarëve në vendin e saj.

“Aplikova dhe u bëra pjesë e portalit “Mjekë për Shqipërinë”, ku kalova fazën e parë të vlerësimit të dosjes. Pasi u informova për pikëzimin tani po bëj fazën e dytë, të intervistës me gojë”, u shpreh Pepa.

Eni Llaka është gjithashtu një tjetër mjeke e përgjithshme që shprehet se ka përfunduar studimet në vitin 2024. “Aplikova në portalin “Mjekë për Shqipërinë” për një vend pune. Mbarova fazën e parë dhe tani sa përfundova fazën e dytë, të intervistës me gojë”, pohoi ajo.

Gjithashtu, një tjetër mjeke që u është bashkuar ekipeve shëndetësore është Erisa Hasani. Mjekja u shpreh se ka mbaruar studimet për Mjekësi të Përgjithshme në shtator të vitit 2024. “Jam licensuar në mars 2025, më pas aplikova në portal për një vend pune në një NJVKSH (Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor) në Sarandë dhe tani jam në pritje të fazës tjetër”, tha ajo.

Gjatë vitit 2024 dhe deri më 31 mars 2025, përmes portaleve “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”, janë punësuar 345 mjekë dhe 1575 infermierë.

Portali “Mjekë për Shqipërinë”, vjen si një hap i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend, duke garantuar që profesionistët e kualifikuar të kontribuojnë në kujdesin për pacientët.