“Luani i partisë”, Roari i shantazhit, heshtja e ligjit dhe përkëdhelja e pushtetit
Në një shtet që krekoset për reforma dhe luftë ndaj korrupsionit, shpesh ndodhin paradokse që të lënë pa fjalë. Shembulli më i gjallë? Luan Rosaj, i njohur tashmë në korridoret e Spitalit të Traumës dhe më gjerë si “Luani i partisë”. Një emër që u bë simbol jo i dinjitetit profesional, por i shantazhit institucional të mbështetur nga heshtja e pushtetit dhe pandëshkueshmëria e ligjit.
Prej vitesh, Luani i partisë ka kthyer zyrën e Auditit të brendshëm në një çerdhe presioni mbi bluzat e bardha. Mjekë e infermierë, në vend që të përqendrohen te shpëtimi i jetëve, detyrohen të përballen me kërcënime për masa disiplinore, vërejtje, madje edhe paralajmërime për largim nga puna. Jo për mangësi në punë, por për t’i treguar se kush është padroni i vërtetë i spitalit. Dhe ky padron nuk është drejtori, nuk është ministri, por “Luani i partisë”, ai që nuk pyet për ligj, por vetëm për interesat e partisë që e ushqen dhe e mbron.

Luani që heshtet nga ligji, por flet në fushata
Në kundërshtim të plotë me ligjin për nëpunësit civilë, z. Rosaj është shndërruar në një militant të hapur të Partisë Socialiste. Fotot e tij në aktivitete elektorale, pranë figurave të njohura të PS-së, janë bërë rutinë. Fushatat e partisë në pushtet e kanë pasur gjithnjë pranë këtë auditues të paepur të mjekëve, por militant të bindur të pushtetit. Dhe kur ligji thotë qartë që një zyrtar i tillë duhet të jetë neutral, Luani i partisë tallet haptas: pjesëmarrja e tij në fushata duket se është biletë sigurie për të vazhduar lojën e shantazhit.

I përkëdheluri i drejtorisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë
Pyetja që lind natyrshëm është: ku janë institucionet? Pse hesht drejtoria e spitalit? Pse Ministria e Shëndetësisë e lejon këtë maskaradë të vazhdojë? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse Luani i partisë është “i yni”. Sepse, kur vjen puna te militantët e bindur, ligji nuk vlen. Sepse, për partinë në pushtet, mjekët mund të jenë të shantazhuar, pacientët mund të jenë të rrezikuar, por rëndësi ka që z. Rosaj të vazhdojë të mbrojë interesat e saj.
Kush e mban dhe kush e mbron?
Kush është forca që e bën “Luani i partisë” të ndjehet i paprekshëm? Kush e mbron nga ligji, nga drejtësia, nga zëri i atyre që denoncojnë? Është thjesht kapja e shtetit, është përkëdhelja e militantit, është kultura e mosndëshkimit që na ka zënë frymën. E ndërsa mjekët kërcënohen, Luani i partisë vazhdon “të bëjë ligjin” në spital, pa pyetur për ligjin.

Ne do të vazhdojmë të ndjekim këtë histori. Fakte të reja do të nxjerrim, sepse e vërteta nuk mund të mbahet gjatë në heshtje, edhe kur përballë ke “luanë” që mbrohen nga kthetrat e pushtetit.

