Rrëmbehen 57 ushtarë në Kolumbi nga kartelet e dr*gës

57 ushtarë kolumbianë janë marrë peng në malet kolumbiane nga civilët në zonën jugperëndimore të Kanionit Micay.

Rrëmbimi i tyre erdhi si pasojë e një operacioni që ushtarët nisën në një zonë kyçe për prodhimin e kokainës dhe mbetet një nga më të tensionuarat në konfliktin e vazhdueshëm të vendit me grupet rebele.

Sipas deklaratave zyrtare, 31 ushtarë u rrëmbyen të shtunën, ndërsa 26 të tjerët u rrëmbyen të dielën nga një grup prej më shumë se 200 personash.

"Si rezultat i të dyja ngjarjeve, gjithsej katër nënoficerë dhe 53 ushtarë profesionistë mbeten të privuar nga liria e tyre", thuhet në reagimin zyrtar.

Ushtria thotë se civilët po veprojnë nën presionin e disidentëve të grupit rebel Farc, i cili ra dakord për një marrëveshje paqeje me qeverinë në vitin 2016.

 Raportet në mediat lokale sugjerojnë se grupi rebel Shtabi i Përgjithshëm Qendror – ish-dega më e madhe e Farc, e njohur si EMC - mund të ketë urdhëruar rrëmbimet, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar

Në një deklaratë në mediat sociale, Gjenerali i Brigadës Federico Alberto Mejia tha se grupet guerile kanë “infiltruar komunitetin lokal”, për të ndaluar avancimin e forcave të sigurisë.

Presidenti Gustavo Petro u bëri thirrje fermerëve të "ndalojnë së besuari te grupet e armatosura që u binden të huajve", duke iu referuar lidhjeve të dyshuara të guerilëve me kartelet meksikane.

“Ne duam të përhapim paqen, por lirimi i ushtarëve, të cilët janë fëmijët e tyre, është i domosdoshëm”, deklaroi presidenti përmes një postimi në rrjetin social X.

Kanioni Mica i cili vazhdon të mbetet një pikë strategjike për transportin e kokainës drejt porteve të Paqësorit është shpesh skenë e përballjeve të ushtrisë dhe grupeve të armatosura ilegale.

Në mars të këtij viti, 28 ushtarë u mbajtën peng nga civilët dhe liruan dy ditë më pas pas ndërhyrjes së organizatës për të drejtat e njeriut.

Kolumbia po përjeton krizën e saj më të keqe të sigurisë në dekadën e fundit. Presidenti Petro u përpoq të negocionte paqen me EMC-në, por udhëheqësi i saj kryesor, i njohur si "Ivan Mordisco", i braktisi bisedimet.