RIKUPEROHET SUPERJAHTI BAYESIAN! Anija tani do t’i nënshtrohet inspektimeve të detajuara! Pritet përcaktimi me saktësi i shkakut të fundosjes

Superjahti Bayesian rikuperohet pas një viti në Siçili. Anija 56 metra e gjatë, u fundos në gusht të vitit 2024 në Palermo. Anija tani do t’i nënshtrohet inspektimeve të detajuara për të përcaktuar me saktësi shkakun e fundosjes

Pas më shumë se një viti nën ujë, superjahti luksoz “Bayesian” ka dalë sërish në sipërfaqe.

Anija 56 metra e gjatë, që u fundos në gusht të vitit të kaluar pranë Palermos, u rikuperua me sukses nga ekipet italiane të shpëtimit dhe u transportua në portin Termini Imerese.

Jahti, me flamur britanik, përfundoi udhëtimin e tij tragjik pas një operacioni delikat tre-ditor që përfshiu vinça gjigantë dhe pajisje të specializuara për ngritje nga 50 metra thellësi.

Direku i gjatë 72 metra u shkëput dhe mbetet ende në shtratin e detit.

Ngjarja tragjike solli humbjen e jetës së manjatin britanik të teknologjisë Mike Lynch, vajzës së tij dhe pesë personave të tjerë. 15 persona arritën të mbijetonin, përfshirë kapitenin dhe pjesën më të madhe të ekuipazhit.

Sipas hetimeve paraprake britanike, jahti u përmbys nga erëra ekstreme që tejkalonin 70 nyje – mbi 130 kilometra në orë – duke e rrëzuar anijen në kënd 90 gradë për më pak se 15 sekonda. Vendndodhja ishte zgjedhur si strehë e sigurt, por stuhia rezultoi fatale.

Anija tani do t’i nënshtrohet inspektimeve të detajuara për të përcaktuar me saktësi shkakun e fundosjes. Autoritetet italiane kanë nisur një hetim penal të plotë për tragjedinë që tronditi jo vetëm industrinë detare, por edhe botën e teknologjisë dhe biznesit ndërkombëtar.