Modi bisedon me presidentin e Iranit, ndërsa India bën thirrje për shmangie të përshkallëzimit

Kryeministri indian Narendra Modi zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane. Kryeministri indian shprehu shqetësimin e tij të thellë për përshkallëzimin e situatës në Iran.

“Ne kemi përsëritur thirrjen tonë për për shmangien e të menjëhershme të përshkallëzimit, për dialog dhe diplomaci – si rruga e vetme për rivendosjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, tha sot Modi në platformën X.

India, vendi më i populluar në botë, është një fuqi bërthamore dhe rivale e Pakistanit fqinj – gjithashtu një fuqi bërthamore dhe një shtet në kufi me Iranin.

Një sulm terrorist në pjesën indiane të Kashmirit më 22 prill, i cili rezultoi në 26 vdekje, shkaktoi përleshje në kufirin me Pakistanin dhe sulme ajrore të ndërsjella. Më 10 maj, u njoftua një armëpushim – ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump tha se kishte ndërmjetësuar konfliktin.

Pakistani e nominoi të shtunën presidentin amerikan, Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqen për rolin e tij si ndërmjetësues në konflikt. Megjithatë, Modi deklaroi gjatë një bisede telefonike me Trump të mërkurën – se nuk kishte pasur ndërmjetësim të SHBA-së.