Pamjet nga sateliti/ Këto janë tre qendrat bërthamore të Iranit që goditi SHBA (FOTO)

Një zyrtar amerikan deklaroi se gjashtë avionë luftarakë amerikanë hodhën një duzinë bombash bunker-buster prej 30,000 kilogramësh mbi qendrën bërthamore të Fordos, ndërsa nëndetëse të Marinës amerikane lëshuan 30 raketa lundruese kundër objekteve në Natanz dhe Isfahan.

Gjithashtu, një bombardues B-2 hodhi dy bomba bunker-buster mbi Natanz, shtoi zyrtari.

Presidenti Trump deklaroi në një fjalim menjëherë pas sulmeve se qendrat bërthamore të Iranit ishin ‘plotësisht dhe totalisht shkatërruar.’

Agjencia për Energjinë Atomike të Iranit e konfirmoi se tre qendrat ishin goditur, dhe bëri të ditur se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër Shteteve të Bashkuara në gjykatat ndërkombëtare.

Këto janë objektet bërthamore që goditi SHBA-ja:

Fordo

Fordo është objekti më kritik i pasurimit bërthamor të Iranit, i ndodhur thellë nën një mal për ta mbrojtur nga sulmet.

Vetëm ushtria amerikane disponon bomba të afta për ta goditur këtë objekt, dhe duhen hedhur disa bomba në të njëjtin vend për të depërtuar në objektin nëntokësor.

Një deputet iranian shkroi në rrjetet sociale se objekti ishte evakuuar ‘prej kohësh’ në pritje të një sulmi.

Natanz

Natanz është qendra më e madhe e pasurimit të uraniumit në Iran, dhe është dëmtuar më parë nga sulmet e ushtrisë izraelite.

Objektet mbi tokë në Natanz u dëmtuan që në ditën e parë të sulmeve izraelite.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike tha të hënën se infrastruktura elektrike në uzinë ishte shkatërruar nga sulmet izraelite, dhe se humbja e energjisë mund të ketë dëmtuar edhe centrifugat në këtë vend.

Isfahan

Lëndë bërthamore pranë nivelit të bombës besohet të jetë ruajtur në një kompleks pranë kryeqytetit të lashtë Isfahan.

Inspektorë ndërkombëtarë i kishin parë rezervat e lëndës djegëse vetëm dy javë më parë, ndonëse nuk ishte e qartë nëse Irani i kishte zhvendosur ato gjatë ditëve të fundit, siç kishin sugjeruar disa zyrtarë iranianë.

Nëse objekti është shkatërruar, kjo mund ta shtyjë programin bërthamor të Iranit për vite, përveç rasteve kur ekzistojnë objekte të fshehura paralele.

Ushtria izraelite kishte goditur më parë laboratorë në objekt, të cilët punojnë për të konvertuar gazin e uraniumit në formën e nevojshme për të prodhuar një armë.

Avionët luftarakë izraelitë e goditën sërish objektin para sulmit të SHBA-së, sipas ushtrisë izraelite dhe një agjencie lajmesh të lidhur me shtetin iranian.