Washington e New York në gjendje alarmi pas sulmeve amerikane ndaj 3 objekteve bërthamore iraniane

Autoritetet në New Jork dhe Washington janë vendosur në gjendje alarmi pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj tri objekteve bërthamore iraniane mbrëmjen e së shtunës.

"Në jemi duke ndjekur nga afër situatën që po zhvillohet në Iran," thuhet në një postim të Policisë së Nju Jorkut (NYPD) në rrjetin X.

"Për shkak të kujdesit të shtuar, kemi vendosur forca shtesë pranë objekteve fetare, kulturore dhe diplomatike në të gjithë qytetin, dhe po bashkëpunojmë ngushtësisht me partnerët tanë federalë.

Do të vazhdojmë të monitorojmë çdo ndikim të mundshëm në qytetin e Nju Jorkut."

Pak më pas, edhe Departamenti i Policisë Metropolitane në Washington publikoi një deklaratë të ngjashme në rrjetet sociale.

Departamenti i Policisë Metropolitane (MPD) deklaroi se po ndjek nga afër zhvillimet në Iran.

“Po bashkëpunojmë ngushtësisht me partnerët tanë të zbatimit të ligjit në nivel lokal, shtetëror dhe federal për të ndarë informacion dhe për të monitoruar të dhënat e inteligjencës, me qëllim mbrojtjen e banorëve, bizneseve dhe vizitorëve në Distriktin e Kolumbias,” thuhet në deklaratë.

MPD bëri të ditur se aktualisht nuk ka ndonjë kërcënim konkret të identifikuar ndaj kryeqytetit amerikan, por megjithatë do të rrisë praninë e forcave të sigurisë pranë institucioneve fetare në të gjithë qytetin.

Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, reagoi përmes një postimi në rrjetin X, duke theksuar se pas bombardimeve në Iran, qyteti po monitoron nga afër çdo kërcënim të mundshëm ndaj sigurisë publike.

“Nuk ka asnjë kërcënim të besueshëm për momentin, por për shkak të kujdesit të shtuar, LAPD ka shtuar patrullimet pranë vendeve të kultit, hapësirave të mbledhjeve komunitare dhe objekteve të tjera të ndjeshme,” shkroi Bass.

“Do të qëndrojmë vigjilentë në mbrojtje të komuniteteve tona” shkruan Fox News.