Ministri i Jashtëm izraelit: Irani u përpoq të s*lmonte qytetarët izraelitë në Qipro

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka deklaruar se Irani ka tentuar të kryejë një sulm ndaj qytetarëve izraelitë që ndodheshin në Qipro.

Në një postim në rrjetin social X, Saar akuzoi Gardën Revolucionare Iraniane për organizimin e këtij sulmi, duke theksuar se ai është parandaluar në kohë “falë bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve qipriote të sigurisë dhe shërbimeve izraelite të inteligjencës”.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën apo objektivin e sulmit të pretenduar.

Deklarata e tij vjen në një kohë tensionesh të larta midis Izraelit dhe Iranit, të përfshira në konflikte të shumta indirekte në rajon. Autoritetet qipriote nuk kanë komentuar ende publikisht mbi çështjen.