Simbol i “shtypjes” së protestave! Aktivisti pro palestinez lirohet pas 104 ditëve paraburgim në SHBA

Aktivisti pro-palestinez, Mahmoud Khalil, u lirua pas 104 ditësh paraburgim, me vendim gjykate që rrëzoi kërkesën e administratës Trump për dëbimin e tij. Ai u arrestua për pjesëmarrje në protestat në Columbia, por gjykata vlerësoi se nuk përbënte rrezik.

Aktivisti pro-palestinez Mahmoud Khalil është liruar nga paraburgimi federal i imigracionit pas 104 ditësh, me vendim të një gjykate që e konsideroi ndalimin e tij të padrejtë

Ai ishte arrestuar më 8 mars për pjesëmarrjen e tij si një nga zërat kryesorë në protestat pro-palestineze në Universitetin Columbia, duke u bërë simbol i shtypjes së demonstratave nga administrata Trump.

Khalil deklaroi se “drejtësia më në fund triumfoi, por ishte e vonuar – kjo nuk duhej të kishte zgjatur tre muaj”.

Administrata Trump e konsideroi pjesëmarrjen e tij në protestë si kërcënim për politikën e jashtme amerikane dhe kërkoi deportimin e tij, duke u bazuar në një dispozitë të Ligjit për Imigracionin dhe Kombësinë.

Po ashtu, autoritetet argumentuan se Khalil kishte bërë shkelje procedurale në aplikimin për leje qëndrimi të përhershme.

Megjithatë, gjykata vendosi se nuk kishte arsye ligjore për t’i mohuar të drejtën e qëndrimit në SHBA, duke urdhëruar lirimin me kusht. Ai mund të udhëtojë brenda vendit për arsye familjare dhe ligjore, por i ndalohet çdo dalje ndërkombëtare.

Pas lirimit, Khalil u nis drejt Nju Jorkut për t’u ribashkuar me bashkëshorten dhe djalin e tij të porsalindur, të cilin nuk kishte pasur mundësi ta përqafonte që nga lindja. “Tani më në fund mund të përqafoj familjen time pa parë orën,” tha ai për mediat.

Ndërkohë, administrata amerikane ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin e gjykatës.