Izraeli: Sulmet tona vonuan me vite bombën bërthamore të Iranit
Izraeli vlerësoi se sulmet e tij kundër Iranit e kanë vonuar zhvillimin e një bombe bërthamore nga Republika Islamike me disa vite.
“Unë besoj, sipas vlerësimeve që dëgjojmë, ne tashmë e kemi vonuar aftësinë e tyre për të prodhuar një bombë bërthamore me të paktën dy ose tre vjet”, tha ministri i Jashtëm Izraelit, Gideon Saar në një intervistë me gazetën tabloide ”Bild”.
“Fakti që ne kemi eliminuar ata individë që udhëhoqën dhe përparuan armatimin e programit bërthamor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sa i përket rezultateve”, theksoi ai.
“Ne tashmë kemi arritur shumë. Por, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi. Ne nuk do të ndalemi derisa të kemi bërë gjithçka të mundshme për të eliminuar këtë kërcënim”, shtoi Saar.
Në një intervistë të veçantë me transmetuesin japonez NHK, Saar tha se Izraeli “nuk do të lejojë që Irani të bëhet si Koreja e Veriut. Irani është përpjekur të ndjekë rrugën e Koresë së Veriut sepse beson se siguria e regjimit të tij garantohet nga armët bërthamore. Por, ne nuk do ta lejojmë këtë në Iran”.

