PANIK NË KROACI/ Turistë dhe banorë evakuohen pas zjarrit në bregdetin e Splitit

Një zjarr shpërtheu sot paradite në Kroacinë jugore, pranë Splitit, qyteti i dytë më i madh i vendit, duke detyruar evakuimin e banorëve dhe turistëve nga disa fshatra bregdetare.

”Zjarri, i cili filloi në rajonin Pisak dhe Marusic, rreth 40 kilometra nga Spliti, u përhap shpejt dhe nuk mund të kontrollohej”, tha departamenti vullnetar i zjarrfikësve.

“Situata është shumë serioze. Ne kemi mobilizuar forcat shtetërore dhe policinë”, tha Slavko Tucakovic, komandant i përgjithshëm i departamentit të zjarrfikësve, për agjencinë kombëtare të lajmeve HINA.

Dy avionë me ujë u dërguan si përforcime.

Sipas zëvendësprefektit të qarkut Split-Dalmaci Stipe Cogelja, një duzinë shtëpish u dogjën deri në themel.

Zëvendësshefi i Policisë së Split-Dalmacisë, Sinisa Mihanoviç, deklaroi në një konferencë për shtyp se policia po “hetonte intensivisht një rast zjarrvënieje të qëllimshme”.

Zjarri u përhap në të dyja anët e rrugës rajonale në bregdetin e Adriatikut, duke çuar në mbylljen e një pjese të rrugës.

Radiotelevizioni Publik Kroat (HRT) raportoi se gjatë dy ditëve të fundit, zjarre kishin shpërthyer në 17 zona në Makarska dhe Omis, në bregdetin jugor të Adriatikut kroat.