Vuçiç kërcënon Kosovën, Specialja kërkon Radoiçiçin, Hoxha: Me dorëzimin e tij, Serbia do ta inkriminojë dhe veten e saj

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i është rikthyer retorikave shqetësuese për destabilizim në rajon.

Një ditë më parë ai lëshoi një deklaratë të fortë gjatë një interviste të dhënë për RTS-në, ku ka kërcënuar edhe njëherë Kosovën.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se gjërat po ndryshonin në botë, ndaj shtoi se edhe Beogradi do të fitonte mbi Kosovën.

Ndërkaq, ditën e sotme Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale që të lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiç dhe ndaj dhjetë personave të tjerë në kuadër të veprimeve hetimore që po ndërmerren në rastin e vendosjes së barrikadave në komunat veriore në Kosovë në vitin 2022.

Për analistin nga Kosova, Ylli Hoxha kjo që u vendos sot ndaj Radoiçiçit nuk është diçka e re, por që duhej vendosur shumë kohë më parë.

I ftuar në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora News” Hoxha, theksoi se ajo çfarë duhet të ndodhë më tej nga vendim duhet të jetë një presion ndërkombëtar mbi Serbinë që personi në fjalë të dorëzohet.

“Është e vështirë që Serbia ta bëjë një akt të tillë, pasi ai ka qenë një përfaqësues i lartë i Beogradit në Kosovë me një mbështetje të palëkundur të shtetit serb në atë kohë dhe çështja është se ai po mbahet në Serbi, ku ka pasur një hetim, por që duket se nuk është përfunduar asnjëherë.

Dhe vështirë të besohet se Serbia do ta dorëzojë Radoiçiçin sepse me dorëzimin e tij do ta inkriminojë dhe veten e saj sepse Radoiçiçi nuk ka operuar i vetëm, por në aktin e Basnjskës ai ka qenë i mbështetur, i financuar nga shteti serb.

Do të jetë një betejë e gjatë, por mirë që është sepse ne kemi një të vrarë në atë akt agresioni, Afrim Bunjakun, ndaj duhet të jemi më agresivë në diplomaci, duhet të jemi më kërkues që ai presion të rikthehet tek Serbia në mënyrë që të ecet përpara”, u shpreh në analizën e tij, Ylli Hoxha.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN NGA KOSOVA, YLLI HOXHA