25-vjeçarit Solomon nuk i ndahen tersllëqet… Shkoi në Izrael për t’u martuar dhe bllokohet nga lufta, nuk kthehet dot në Londër!
Futbollisti izraelit Manor Solomon, aktualisht në pronësi të Tottenham, është bllokuar në Izrael dhe nuk mund të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore nga qeveria izraelite, pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
25-vjeçari ishte kthyer në vendin e tij për të festuar martesën me të fejuarën e tij Dana Voshina në një vendpushim luksoz. Imazhet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë një ceremoni të gëzueshme dhe festive.
Megjithatë, çifti u habit nga zhvillimet e luftës dhe tani nuk mund të largohet nga territori izraelit. Por kjo nuk është përvoja e parë traumatike që lidhet me ngjarjet e luftës për Solomonin dhe gruan e tij, një studente e shkencave politike.
Sipas raportimeve në shtypin anglez, ata kishin përjetuar tashmë një situatë të ngjashme edhe në vitin 2022: në atë kohë Solomoni luante për Shakhtar Donetsk dhe ndodhej në Ukrainë kur shpërtheu konflikti me Rusinë. Në atë rast, ishte qeveria izraelite që ndërhyri për të lejuar lojtarin dhe partneren e tij të largoheshin nga Ukraina.
Pas një sezoni të mbushur me dëmtime dhe një periudhe huazimi te Leeds United, Solomon tani po përgatitet të kthehet te Tottenham. Megjithatë, një rikthim në Angli është aktualisht i pamundur për shkak të shqetësimeve për sigurinë, duke e lënë të ardhmen e tij sportive përkohësisht të pezulluar.
