Merz refuzon Putinin si ndërmjetës midis Izraelit dhe Iranit
Kancelari gjerman, Friedrich Merz hodhi poshtë sot mundësinë që presidenti rus, Vladimir Putin të veprojë si ndërmjetës në konfliktin midis Izraelit dhe Iranit.
“Personalisht, nuk e shoh presidentin rus të luajë një rol ndërmjetësues në këtë konflikt”, tha Merz, pak para se të hapej samiti i G7-ës në vendpushimin malor kanadez të Kananaskisit.
“Putin duhet të përqendrohet në përfundimin e luftës së tij në Ukrainë”, argumentoi kancelari.
“Nëse Putin e përfundon këtë luftë, atëherë ai do të ketë bërë atë që është e nevojshme dhe e drejtë në teatrin e botës që aktualisht është një nga ankesat tona më të mëdha. Do ta mirëprisja shumë këtë”, theksoi ai.
Sipas Kremlinit, Putin ofroi të ndërmjetësonte në konfliktin në përshkallëzim gjatë një bisede telefonike me presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Rusia ka marrëdhënie të ngushta me Teheranin, i cili ka furnizuar me dronë për luftën ruse në Ukrainë. Trump më vonë i tha transmetuesit ABC se ai “do të ishte i hapur” për përfshirjen e Putinit në përfundimin e konfliktit.
