“Po si more lekët babit, do të mbysim të hedhim në lumë” Si u zhdukën 70 mln lek nga kasaforta. I mituri u kërcënua me thika
Një shumë financiare prej 70 milion lekë të vjetra është arritur të vidhet nga tre persona në fshatin Goskovë, të cilët kanë ushtruar presion psikologjik mbi një fëmijë 11-vjeçar.
I kërcënuar me thika dhe çelësa makinash nga Andi Sanço, Samuel Tepexhik dhe persona të tjerë si Mateo Sejdarasi, Santiago Gjoka dhe Romeo Sanço, i mituri A.S, merrte nga një kasafortë, kursimet e familjes së tij dhe ja dorëzonte Andi Sanços dhe Samuel Tepexhik.
Në këtë skemë kërcënimi dhe presioni, me qëllim përfitimin e shumave të mëdha financiare, ishte përfshirë dhe djali i xhaxhait të të miturit, A.S, shtetasi Mateo Sejdarasi, i cili rezulton të jetë shok me dy personat e tjerë Andi Sanço dhe Samuel Tepexhik.
Lekët e përfituara në mënyrë të paligjshme nga i mituri A.S, tre personat i shpenzonin duke marë me qera makina luksoze, blerë rroba firmato, “Iphonë 15 Pro Max”, festa në tallava dhe shumë vende të tjera duke pushuar.
Tashmë të 3 personat janë arrestuar nga prokuroria e Korçës, ku Sanço dhe Tepexhik, janë lënë në masën e “arrestit në burg” pasi akuzohen nga prokuroria për veprën penale të “Vjedhjes me pasoja të rënda” e kryer në bashkëpunim dhe “Shtytja e të miturve në krim” e kryer në bashkëpunim.
Me të njëjtën akuzë është arrestuar dhe bashkëpunëtori i tyre, Mateo Sejdarasi, por për këtë të fundit me kërkesë të prokurorisë, gjyqtari Klajdi Tërnova, vendosi caktimin e masës së “detyrimit për paraqitje”.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, mungesën e shumës financiare në kasafortë e ka konstatuar kryefamiljari, Artan Sejdarasi.
Ky i fundit ka dyshuar tek dy fëmijët e tij të mitur se mund të kishin marrë para, por gjatë marrjes në pyetje ata i kanë treguar se sasinë e lekëve e kishin marrë dhe prishur në dyqanet e fshatit.
Por ky version nuk ju duk bindës, ndaj Artan Sejdarasi, ka paraqitur kallëzim penal në policinë e Korçës, duke kërkuar ndjekjen penale për rastin e zhdukjes së 70 milion lekëve nga kasaforta e tij.
Me nisjen e hetimeve në datën 24 janar 2024 është marrë në pyetje 11 vjeçari me inicialet A.S, i cili ka deklaruar se:
”...babai i mbante lekët në kasafortë, e cila ndodhej tek një dhomë që ata i thonë “banjë”, ku mbanin dhe ushqimet. Kur gjyshi vinte lekët në kasafortë, i thoshte hajde dhe ti dhe shkonin bashkë i vendosnin. Kasaforta ishte me 3 kyçe varës, çelësat i kishte gjyshi, vetëm ai i mbante, ndërsa çelësin e kyçit të derës së dhomës e mbante nëna. Hera e fundit që ka shkuar me gjyshin në kasaforta mund të ketë qenë shtator 2023 dhe gjyshi tha që ishin 7.000.000 (shtatë milion lekë) të rinj. Dy tre ditë pas shkollës i dolën tek ura e “Vinçanit” disa djem si Romeo Sanço, Flori, Santiago Gjoka, Mateo Sejdaras, Samuel Tepexhik dhe Andi Sanço, të cilët i zunë rrugën me thika, me buton dhe fluturashka...”.
Ndër të tjera në dëshminë e tij i mituri tregon se ata i kanë thënë:
“...po nuk i more lekë babit, gjyshit, do të vrasim, do të hedhim në lumë, do të mbytim...”.
Përveç Mateo Sejdarasit, të 4 mbanin nga një çelës në dorë dhe i thanë: “...me këta do ta hapësh derën dhe kasafortën ku mbajnë lekët...”.
I mituri A.S, i mori çelësat, iku në shtëpi, filloi të provonte dhe pasi u hap dera, u fut në dhomë. Pas disa provash hapi edhe kasafortën dhe çelësat e saj i fshehu tek një xheke që nuk e përdorte babai. Mbylli derën e dhomës dhe çelësin e fshehu në një jastëk.
“...Që atë ditë i mori lekët dhe jua çoi tek ura, sepse ata i kishin thënë që: “...do të presim këtu të na i sjellësh...”. I morën lekët dhe i thanë: “...Ik dhe nesër do na sjellësh prapë dhe mos trego...”-ka treguar 11-vjeçari.
Ditën tjetër pasi doli nga shkolla po e prisnin prapë tek ura, prapë ishte vetëm, ata ishin të njëjtët dhe i thanë: “...shko merr leka prapë....”, ai iu tha “mirë”.
Shkoi në shtëpi mori çelësat atje ku i kishte lënë dhe hapi kasafortën, mori afërsisht 600.000 apo 700.000 lekë, i mori dhe ua çoi, ata i thanë „...ik tani...”.
E bënte çdo ditë të njëjtin veprim deri sa mbaruan 7 milion lekët dhe në fund të shtatorit nuk kishte më lekë.
Nuk ndërroi rrugë kur dilte nga shkolla, se po të ndërronte rrugë, ata mund t’i dilnin, se ata vinin dhe në fshat dhe pasi merrnin lekët bënin një xhiro në fshat.
Pasi iu mbaruan lekët, ata i dolën përsëri dhe e kërcënuan, por u tha që nuk ka më dhe nuk e kanë shqetësuar më që pas asaj dite.

