Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet për të diskutuar sulmet izraelite ndaj Iranit

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot në Nju Jork – pas sulmeve të rënda të Izraelit ndaj Iranit, sipas burimeve diplomatike.

Organizata më e fuqishme e OKB-së do të mblidhet në orën 15:00 me kërkesë të Rusisë, e mbështetur nga Kina.

Këshilli, zakonisht nuk mund të marrë vendime në lidhje me Lindjen e Mesme – për shkak të fuqisë së vetos së aleatit të Izraelit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më herët, Irani kërkoi zyrtarisht një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit.

Sipas një raporti nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA, Irani i ka dërguar një letër urgjente Këshillit të Sigurimit të OKB-së – duke dënuar sulmet e Izraelit ndaj objekteve bërthamore dhe vrasjen e personelit ushtarak.

Gjithashtu, Teherani i bëri thirrje këshillit të përgjigjej ndaj asaj që Irani e përshkroi si “agresion i qartë i regjimit sionist”.