Bukë, zemër dhe kulla/ Musai: Nuk ishte festival, por një event privat me arkitektë anonimë në një kullë të mbyllur

150 arkitektë nga e mbarë bota që ishin disa ditë më parë në Shqipëri, prezantuan bashkë me kryeministrin Rama vizionin e ri të ndërtimit, veçanërisht të kryeqytetit Shqiptar. Një vizion që parashikon ngritjen edhe të më shumë kullave sesa ç'kemi aktualisht.

Për të folur më shumë rreth kësaj teme e ftuar në emisionin “Ora e Betit”, në “Ora News”, ishte arkitektja Doriana Musai.

"Festival e quajti. Normalisht po të ishte një festival do të duhet të ishte në një hapësirë publike si çdo festival tjetër, por në fakt zgjodhi një objekt të mbyllur privat, një nga kullat, që të ndërtonte këtë paradën e kullave.

Më shumë sesa një festival kullash ishte një përforcim, ai e quajti ushtri, e prezantoi si ushtrinë e arkitektëve, këtë emër i vuri prej 150 individësh të ardhur nga vende të ndryshme të botës.

Shumë prej tyre ne nuk i kemi dëgjuar, domethënë nuk janë 150 'star' arkitekt, janë thjesht 150 arkitekt, është sa një klasë arkitekture.

Në çdo fakultet në Shqipëri një klasë arkitekture është 150 arkitekt, pra asgjë e jashtëzakonshme nga përmasat por shumë domethënëse për nga dita që zgjodhi dhe mënyra sesi e paraqiti.

Askush nuk foli, ne nuk e dimë se kush kanë qenë të ftuarit. Dukej që ishte një event me ftesa, në një vend të mbyllur, në një kullë", u shpreh Musai.