Kvaratskhelia sulmohet gjatë pushimeve, bastiset nga hajdutët banesa që kishte marrë me qira

Pas fitimit të UEFA Champions League dhe vendimit të trajnerit të Gjeorgjisë, Willy Sagnol, për ta lënë të pushojë, Khvicha Kvaratskhelia kishte zgjedhur të kalonte disa ditë pushimi me familjen dhe mikun e tij të afërt, bashkëkombësin Zuriko Davitashvili (lojtar i Saint-Étienne).

Megjithatë, fundjava nuk shkoi siç pritej.

Sipas ‘L’Équipe’ dhe disa medieve gjeorgjiane, banesa me qira në të cilën po qëndronte sulmuesi në Le Cannet (Alpes-Maritimes, Francë) është grabitur të shtunën në mbrëmje.

Nga grabitja janë vjedhur bizhuteri, çanta dhe orë, por fatmirësisht askush nuk është lënduar. Autoritetet kanë hapur një hetim për të zbuluar autorët e krimit.

Kvaratskhelia, që u transferua në Paris në mes të sezonit, ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 4 asistime në 25 ndeshje me PSG-në, me të cilën fitoi Champions League, Ligue 1 dhe Kupën e Francës.

Klubi parizien do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube, ku bën pjesë në grupin B së bashku me Seattle Sounders, Botafogo (trajnuar nga Renato Paiva) dhe Atlético Madrid.