Intensifikohen protestat, pasi Trump vendos trupa të Gardës Kombëtare
Tensionet në Los Anxheles u përshkallëzuan, ndërsa mijëra protestues dolën në rrugë në përgjigje të vendosjes së jashtëzakonshme të Gardës Kombëtare nga presidenti Donald Trump, duke bllokuar një autostradë të madhe dhe duke i vënë flakën makinave pa shofer, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, plumba gome dhe shkrepëse për të kontrolluar turmën, sipas AP.
Disa policë patrulluan rrugët mbi kuaj, ndërsa të tjerë me pajisje për trazira u rreshtuan pas trupave të Gardës, të vendosura për të mbrojtur objektet federale, përfshirë një qendër paraburgimi ku u morën disa emigrantë në ditët e fundit.
Policia e shpalli tubimin të paligjshëm dhe deri në mbrëmje shumë njerëz ishin larguar.
Por, protestuesit që mbetën rrëmbyen karrige nga një park publik aty pranë për të formuar një barrierë të improvizuar duke hedhur objekte drejt policisë në anën tjetër.
Të tjerë që qëndronin mbi Autostradën 101 të mbyllur në drejtim të jugut hodhën copa betoni, gurë, skutera elektrikë dhe fishekzjarre drejt oficerëve të Patrullës së Autostradës së Kalifornisë dhe automjeteve të tyre që ishin parkuar në autostradë.
Kjo ishte dita e tretë e demonstratave kundër masave të ashpra të Trump ndaj imigracionit në rajon, pasi mbërritja e rreth 300 trupave federale nxiti zemërim dhe frikë midis disa banorëve.
Protestat e së dielës në Los Anxheles, një qytet me 4,0 milionë banorë, u përqendruan në disa blloqe të qendrës së qytetit.
Duke filluar nga mëngjesi, trupat e Gardës Kombëtare qëndruan krah për krah, duke mbajtur armë të gjata dhe mburoja kundër trazirave jashtë Qendrës Metropolitane të Paraburgimit në qendër të Los Anxheles.
Guvernatori demokrat, Gavin Newsom i kërkoi Trumpit largimin e anëtarëve të Gardës, në një letër dje pasdite, duke e quajtur vendosjen e tyre një “shkelje serioze të sovranitetit shtetëror”.
Ai ishte në Los Anxheles për t’u takuar me forcat e rendit dhe zyrtarët lokalë. Nuk ishte e qartë nëse ai kishte folur me Trumpin që nga e premtja.