Shpresë për zgjidhjen e luftës tregtare! SHBA dhe Kina rikthehen në tryezën e bisedimeve! Delegacionet mbërrijnë në Londër

Një raund i ri bisedimesh midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës për zgjidhjen e luftës tregtare mes dy vendeve më të mëdha ekonomike në botë pritet të zhvillohet këtë të hënë në Londër. Kjo përpjekje diplomatike vjen pas muajsh tensioni dhe akuzash të ndërsjella.

Një takim vendimtar mes dy ekonomive më të mëdha në botë do të zhvillohet këtë të hënë në Londër.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë rikthyer në tryezën e negociatave për të gjetur zgjidhje për përplasjen e ashpër tregtare që ka përfshirë të dy vendet që nga fillimi i këtij viti.

Bisedimet vijnë pas një telefonate mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping, të cilën Trump e përshkroi si një bisedë shumë të mirë dhe që, sipas tij, ka sjellë një përfundim pozitiv për të dyja palët.

Delegacioni amerikan kryesohet nga Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick dhe Përfaqësuesi për Tregtinë, Jamieson Greer. Nga ana tjetër, pala kineze përfaqësohet nga Zëvendës Kryeministri He Lifeng, i cili do të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar deri më 13 qershor.

Shpresë për zgjidhjen e luftës tregtare! SHBA dhe Kina rikthehen

Në qendër të negociatave janë tarifat tregtare dhe kufizimet ndaj eksporteve teknologjike e mineraleve të rralla. Kujtojmë se në maj u arrit një marrëveshje e përkohshme në Zvicër, e cila uli përkohësisht tarifat.

SHBA reduktoi taksat mbi produktet kineze në 30%, ndërsa Kina uli ato ndaj produkteve amerikane në 10% dhe premtoi të lehtësonte eksportet strategjike.

Por pavarësisht marrëveshjes, tensionet nuk janë zhdukur. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes, ndërsa analistët paralajmërojnë se, nëse nuk arrihet një dakordësi e plotë brenda afatit 90-ditor të vendosur në maj, bota mund të përballet me një përshkallëzim të ri të luftës tregtare.

Sipas ekspertëve një nga temat më të nxehta të tryezës janë mineralet e rralla përbërës kyç për prodhimin e pajisjeve teknologjike.

Kina kontrollon rreth 69% të prodhimit global të këtyre materialeve, ndërsa SHBA ka vendosur ndalime të rrepta për to.

Ndërkohë, të dhënat më të fundit nga Pekini tregojnë një rënie të ndjeshme të importeve për muajin maj me 3.4%, shumë më e lartë se sa pritej nga analistët, çka vë një presion shtesë mbi udhëheqjen kineze për të arritur një marrëveshje.

Takimi në Londër është parë nga shumë analistë si një mundësi e artë për të shmangur një krizë të thellë ekonomike globale. Por gjithçka do të varet nga vullneti i palëve për të bërë lëshime të ndërsjella.