Mjekët britanikë kundër vdekjes së asistuar
Më shumë se 1000 mjekë britanikë kanë firmosur një peticion kundër projektligjit për vdekjen e asistuar, duke e cilësuar atë të pasigurt dhe kërcënues për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë. Ata shprehin shqetësime për ndikimin financiar tek pacientët, pasaktësinë e diagnozave dhe presionin moral ndaj stafit mjekësor.
Mjekët britanikë janë bërë bashkë kundër një propozimi që nëse do të marrë mbështetjen e ligjvënësve do të legjitimonte euthanasinë.
Përmes një peticioni, më shumë se 1000 mjekë u kanë bërë thirrje deputetëve të votojnë më 20 qershor kundër projektligjit për vdekjen e asistuar.
Mbështetësit e projektligjit theksojnë se qëllimi i tij është lehtësimi i vuajtjeve për pacientët të cilët sipas diagnozës nuk kanë më shumë se 6 muaj jetë, duke u mundësuar që t'i japin fund jetës “sipas kushteve të tyre”.
Përballë kësaj qasje mjekët e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor e kanë quajtur projektligjin një "kërcënim të vërtetë si për pacientët, ashtu edhe për fuqinë punëtore mjekësore.
"Ne nuk mendojmë se është një projektligj i sigurt, që mbron pacientët, familjet dhe mjekët." thuhet në peticion, duke shtuar se nëse nevojitet një debat mbi kujdesin në fund të jetës, "ky projektligj nuk është zgjidhja".
Një nga shqetësimet e ngritura nga bluzat e bardha ishte pamundësia ekonomike e pacientëve të cilët nën presionin financiar për kujdesin mjekësor, të zgjedhin t’i japin fund jetës.
Kjo bazuar edhe në studimet në vendet ku lejohet euthanasia rreth 9.3% e rasteve të vdekjeve të asistuar ndodhin për arsye financiare
Një tjetër shqetësim për mjekët është edhe pasaktësia e prognozës, e cila sipas hulumtimeve ndodh në 40% të rasteve.
Në kërkesën e tyre trajtohet gjithashtu edhe ndikimin mbi stafin mjekësor duke theksuar se "bluzat e bardha mund të ndihen nën presion kur merren me kërkesat e pacientëve për vdekje të asistuara, çka bie ndesh me parimet e tyre.

