Mbi 24 fëmijë në spitalet e Gjermanisë dhe Austrisë, shkak salmonela në gjalpin e kajsusit me aromë mjedre
Të paktën 24 fëmijë në Gjermani janë shtruar në spital si pasojë e një shpërthimi të salmonelës, kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore evropiane. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), shpërthimi është lidhur me konsumimin e një gjalpi kasjusi të gatshëm për t’u ngrënë, i cili tashmë është tërhequr nga tregu.
Që nga fundi i majit, Gjermania ka raportuar 52 raste të infeksionit me Salmonella Infantis tek fëmijët nën moshën 5 vjeç. Autoritetet konfirmojnë se më shumë se gjysma e këtyre rasteve kanë kërkuar trajtim spitalor. Në Austri janë regjistruar 13 raste të tjera, gjithashtu kryesisht te fëmijët e vegjël.
Produkti i dyshuar është një gjalpë kasjusi me aromë mjedre, i cili shitej në supermarkete në të gjithë Gjermaninë dhe në disa vende të tjera evropiane. Sipas ECDC, produkti është shpërndarë gjithashtu në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Çeki, Hungari, Itali, Sllovaki dhe Slloveni, edhe pse deri më tani, këto shtete nuk kanë raportuar raste të lidhura me shpërthimin.
Simptomat e zakonshme të infeksionit me salmonelë përfshijnë diarre, të vjella, dhimbje barku, temperaturë dhe shqetësime të tjera gastrointestinale. Rreziku më i madh i kanoset foshnjave, fëmijëve të vegjël dhe personave me sistem imunitar të dobësuar, të cilët mund të zhvillojnë komplikime të rënda.
ECDC paralajmëron se për shkak të afatit të gjatë të ruajtjes së produktit, rreziku për raste të reja nuk është i përjashtuar, pasi ka mundësi që gjalpi i kontaminuar të ndodhet ende në shtëpitë e konsumatorëve. Agjencia ka kërkuar bashkëpunim nga të gjitha vendet për të ndarë të dhënat mbi mostrat e salmonelës për hetime të mëtejshme.
Ky është rasti më i fundit i alarmit për salmonelën në Bashkimin Evropian. Vetëm pak muaj më parë, në mars, ECDC kishte paralajmëruar për shpërthime të përhapura të salmonelës të lidhura me konsumimin e farave të jonxhës nga Italia.
