Sopranoja Ermonela Jaho rikthehet pas 12 vitesh me një koncert në Kosovë
Sopranoja me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho është rikthyer pas 12 vitesh në Kosovë me një koncert gala mbajtur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli, shoqëruar nga Opera dhe Filharmonia e Kosovës, kjo mbrëmje e jashtëzakonshme arti, ishte dëshmi edhe e potencialit dhe seriozitetit me të cilin po zhvillohet Opera e Kosovës.
Sopranoja Jaho ka çelur edhe festimet për 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës duke sjell emocione për qytetarët dhe artëdashësit në Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Koosvës, Albin Kurti shprehet se “sopranoja Ermonela Jaho nga Sheshi “Skënderbeu” na çoi drejt Italisë së Puccinit e Verdit, pa lëvizur asnjë hap – vetëm me zërin e saj të bukur. Me një mjeshtëri të rrallë, ajo solli dramën dhe emocionin e një opere botërore, duke ruajtur qetësinë dhe kontrollin me përplot hir e që lind vetëm nga përvoja dhe pjekuria artistike”.

“Emri i saj, që për ne tingëllon si “dëshirë”, u bë realitet i paharrueshëm për mijëra zemra që e dëgjuan. Në një bashkëpunim të rrallë mes Orkestrës së Operës së Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasserolli, mbrëmja solli një përzgjedhje nga veprat e mëdha të Puccinit dhe Verdit, duke shndërruar sheshin e kryeqytetit në skenë operistike. Kjo është fuqia e artit të vërtetë – të të çojë diku tjetër pa u larguar nga vendi yt. Dhe ky është niveli që ne si qeveri mbështesim me përkushtim, duke besuar se përmes këtyre përvojave e përjetimeve estetike kolektive të ndërtojmë institucionet kulturore që e meritojnë një vend të denjë në hartën artistike ndërkombëtare”, theksoi Kurti.
Para mbajtjes së koncertit, sopranoja Ermonela Jaho mbajti një konferencë për mediet, ku ndër të tjera theksoi se ndërtimi i shtëpisë së Operës në Kosovës është një domosdoshmëri për të kanalizuar kapacitetin e artistëve të rinj të Kosovës si dhe për të pasuruar shpirtin e popullit.

Artistja Jaho u shpreh se në Kosovë ka ardhur me një detyrim shpirtëror, moral dhe patriotik për t’i dhënë një shtysë ndërtimi të kësaj shtëpie operistike, e cila konsiderohet jetike për artistët dhe brezat e rinj.

