“ASËT NËN MËNGË” TË SILVINJOS/ Serbia “k*rcënon” me repartin e sulmit dhe mesfushës
Përballja Shqipëri-Serbi pritet të jetë një betejë taktike në fushën e blertë. Silvinjo pritet ti qëndrojë besnik emrave që jemi mësuar të shohim dhe në ndeshjet e mëparshme, teksa surprizat mund të vijnë nga reparti i sulmit. Nga krahu tjetër, serbët do të mbështeten nga lojtarët cilësor që përbëjnë mesin e fushës dhe majën e sulmit.
Përballja Shqipëri-Serbi pritet t’i ngjajë asaj të një loje shahu. Skuadra që do gabojë më pak mund të arrijë te rezultati pozitiv, por kjo sigurisht do të varet edhe nga rreshtimi taktik në fushë nga dy trajnerët respektivë.
Jemi mësuar të shohim pothuajse të njëjtën Shqipëri që prej ardhjes së Silvinjos në pankinë dhe e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në këtë përballje.
Tekniku brazilian i qëndron besnik ideve dhe lojtarëve të tij dhe shumë pak, për të mos thënë aspak ai preferon të bëjë ndryshime.
Thomas Strakosha do të veshë dorezat dhe pritet të mbrojë kuadratin e portës kundër ekipit serb.
Dilemë mund të ketë në krahun e djathtë të mbrojtjes mes Hysajt e Balliut, ndërsa në qendër Gjimshiti është i padiskutueshëm, por do të ketë balotazh mes Ajetit, Ismajlit dhe Kumbullës.
Në të majtë, Mario Mitaj nuk e diskuton fanellën e titullarit.
Në mesfushë, Silvinjo pritet ti besoj sërish dyshes Asllani-Ramadani, ndërsa më i avancuar Bajrami e Laçi do të ‘luftojnë’ për një fanellë titullari, por me lojtarin e Spartës së Pragës më të avantazhuar.
Dilema e madhe është në repartin e sulmit. Si pykë, Silvinjo mund ta nisë direkt me Brojë titullar, ndërsa nga krahët ai pritet të mbështetet nga Hoxha ose Uzuni në të majtë dhe nga Asani në krahun e djathtë.
Nga krahu tjetër, pikat më të forta të serbëve janë sulmi dhe mesfusha. Tekniku Stojkoviç ka dy alternativa tepër cilësore në majën e sulmit si Vlahoviç dhe Joviç. Gjithashtu edhe mesfusha serbe është tepër konkurruese.
Emra si mesfushori i Sevilla-s, Gudelj, ai i Fulham-it, Lukiç, lojtari i Atalanta-s, Samardziç dhe Raçiç nga skuadra e Braga-s përbëjnë boshtin e mesit të fushës së kundërshtarëve.
Por skuadra serbe ka dhe pika të dobëta. Si lojtarët e mesfushës por edhe ata të vijës mbrojtëse janë të ngadaltë, e shpejtësia nga krahët është pika e tyre më e dobët.
Këtë situatë, kuqezinjtë e Silvinjos duhet ta shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, për të gjetur 3 pikët.
Gjithsesi pavarësisht interpretimit dhe parashikimit në letër, ajo që do të flasë në fund është fusha e blertë.
