Flavio Briatore: Nuk e vizitoj Shumakerin, sepse dua ta mbaj mend të qeshur
Flavio Briatore, ish-shefi i Mikael Shumakerit dhe këshilltari aktual ekzekutiv i ekipit Alpine, është rikthyer të flasë rreth gjendjes shëndetësore të pilotit legjendar së Formulës 1, plot 12 vjet pas aksidentit të rëndë në Alpe.
Gjatë një interviste për “Corriere della Sera”, Briatore i konfirmoi gazetës italiane se Mikael Shumaker (56 vjeç) vazhdon të jetë i shtrirë në shtrat, megjithëse zbuloi pak detaje rreth gjendjes së tij, duke respektuar vendimin e gruas së Shumit, Korinës, për të ruajtur privatësinë në lidhje me gjendjen e shtatë herë kampionit të Botës në Formula 1.
“Nëse i mbyll sytë, e shoh të buzëqeshur pas një fitoreje.
Preferoj ta mbaj mend ashtu sesa thjesht të shtrirë në shtrat. Megjithatë, unë dhe Korina flasim shpesh”, u shpreh Briatore, duke i konfirmuar se nuk e ka vizituar kurrë Shumaker që nga aksidenti i tij.
Ndërkohë, Elisabeta Gregoraçi, ish-gruaja e Briatores, në vitin 2020 shprehej kështu për gjendjen e kampionit gjerman: “Mikael Shumaker nuk flet, ai komunikon me sytë e tij.
Vetëm tre persona mund ta vizitojnë atë, dhe unë e di se kush janë ata. Gruaja e tij ka ngritur një spital për të në shtëpinë e tyre”, deklaronte Gregoraçi për ish-pilotin e Ferrarit.
Spekulimet se Mikael Shumaker nuk mund të flasë u konfirmuan nga djali i tij Mik në një dokumentar të “Netflix” në vitin 2021: “Mendoj se unë dhe babi do ta kuptonim njëri-tjetrin ndryshe tani”.
Flavio Briatore foli gjithashtu për kujtimin e tij më të mirë sportiv me Mikael Shumakerin, titullin e vitit 1994: “Ne kishim federatën kundër nesh.
Ferrari dhe MekLaren nuk ishin të lumtur që u mundën nga një djalë 19-vjeçar dhe një ekip pronarët e të cilit bënin bluza, për të mos përmendur mua, një djalë të nxirë dhe me flokë të gjatë që nuk isha inxhinier.
Unë nuk isha as tifoz, kisha parë garën e parë në Australi kur Beneton më dërgoi atje”, rrëfen 75-vjeçari italian.
Ndërsa lidhur me mendimin e tij për pilotin më të madh në historinë e Formulës 1, Briatore shprehet kështu: “Nuk e di për të gjitha kohërat, sepse kemi pasur Shumakerin, Senën, Alonson… Tani, numri 1 është padyshim Maks Vershtapen”, përfundon bosi italian.
