Davide Ancelotti mund të qëndrojë në Spanjë, e kërkon skuadra e njohur galiciane

Davide Ancelotti, djali i trajnerit të njohur Carlo Ancelotti, është pranë nisjes së aventurës së tij të parë si trajner i parë.

Sipas raportimeve të "The Athletic", Deportivo La Coruña është i interesuar seriozisht për shërbimet e tij dhe e ka vendosur në krye të listës për stolin për sezonin e ardhshëm.

Klubi galician, i cili ka përfunduar në vendin e 15-të në Segunda División (liga e dytë spanjolle), kërkon të rikthehet në nivelet më të larta të futbollit spanjoll dhe sheh te Ancelotti një profil të ri dhe ambicioz që mund të sjellë energji të reja në ekip.

Për Davide Ancelottin, do të ishte hapi i parë si trajner kryesor, pas një eksperience të gjatë dhe të suksesshme si ndihmës i të atit në disa nga klubet më të mëdha të Europës, përfshirë Napoli, Everton, Bayern Munich dhe së fundmi Real Madridin.

Më herët, edhe Rangers ishte interesuar për 35-vjeçarin italian, por më pas zgjodhi trajnerin Russell Martin.

Tashmë duket se Deportivo është destinacioni më i mundshëm dhe marrëveshja mund të konkretizohet në ditët në vijim.

Për Davide Ancelottin, kjo mund të jetë një mundësi e artë për të ndërtuar identitetin e tij si trajner, larg hijes së të atit, në një klub me histori të pasur dhe një publik të zjarrtë.