FSHF jep sqarim mbi procesin e biletave për ndeshjen Shqipëri–Serbi: Keni 24 orë kohë...
Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar një njoftim të rëndësishëm në lidhje me procesin e shpërndarjes së biletave për përballjen e shumëpritur Shqipëri–Serbi. Përmes një sqarimi zyrtar, FSHF u bën thirrje fituesve të shortit elektronik të përfundojnë blerjen e biletave brenda afatit të caktuar, përndryshe humbasin të drejtën për pjesëmarrje. Ndeshja do të luhet të shtunën, më 7 qershor, në orën 20:45, në “Arenën Kombëtare”, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
‘Federata e Futbollit njofton se vijon procesi i shpërndarjes së biletave përmes shortit elektronik për ndeshjen Shqipëri – Serbi.
Të gjithë personat që janë shpallur fitues dhe kanë fituar të drejtën për të blerë bileta duhet të veprojnë sa më shpejt, pasi linku i dërguar është i vlefshëm vetëm për 24 orë nga momenti i marrjes.
Pas këtij afati, linku bëhet i pavlefshëm dhe biletat nuk mund të blihen. Për këtë arsye, FSHF u bën thirrje të gjithë fituesve të përfundojnë procesin e blerjes brenda afatit, duke kryer pagesën përkatëse.
Ndeshja Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, do të zhvillohet të shtunën, më 7 qershor, në orën 20:45, në stadiumin ‘Arena Kombëtare’.
